Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka nisur të mbledhë dhe grumbullojë informacione në lidhje me dyshimet për shkelje eventuale nga ana e policëve në rastin e arrestimit të shefit të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Sipas IPK-së, ky hetim është nisur pas ankesës nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Milan Radojeviq që ka ngritur dyshime për tejkalim të përdorimit të forcës nga policët.
“Misioni i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK-së) është që përmes ushtrimit të veprimtarisë së tij, të sigurojë një shërbim policor të përgjegjshëm, demokratik dhe transparent, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e kërkuara. Në përputhje me këtë mision dhe fushëveprimin ligjor IPK merr masa dhe veprime hetimore në rastet kur dyshohet se pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë kryer veprime që bien ndesh me ligjin e PK-së dhe aktet tjera nënligjore të Policisë”, thuhet në një njoftim të IPK-së.
Sipas IPK-së, hetuesit do të ndërmarrin edhe veprimet tjera varësisht nga të gjeturat e procesit të grumbullimit të informacioneve dhe në konsultim me prokurorin kompetent.