Kosova nuk e ka lejuar vizitën e ministrit të Sportit të Serbisë, Vanja Udoviçiq. Këtë e kanë konfirmuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës
“Ju konfirmojmë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk e ka aprovuar kërkesën e ministrit të Qeverisë serbe për të hyrë në Republikën e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për Zeri.info.
MPJD-ja nuk ka dhënë arsye për refuzimin e kërkesës ndaj Udoviçiqit.
Në anën tjetër, refuzimi i vizitës së ministrit serb në Kosovë ka ngjallur reagime në Serbi.
Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka quajtur arrogancë të institucioneve të Kosovës vendimin për të mos e lejuar hyrjen e ministrit të Sportit të Serbisë, Vanja Udoviçiq.
“Lidhur me qëndrimin e tij në Kosovë u njoftua zyrtarisht në përputhje me të gjitha marrëveshjet dhe procedurat, por përkundër se Prishtina në mënyrë të njëanshme dhe arbitrare vendosi të mos e lejojë vizitën”, ka deklaruar Petkoviqi.