U detyrua t’i nënshtrohej vullnetit të familjes dhe të martohej me kushëririn e saj, një njeri të cilin nuk e deshi kurrë.
Një jetë e pamundur për 28- vjeçaren Samia Shadid, e cila në vitin 2014, vendosi të sfidojë vullnetin e prindërve, duke lënë të shoqin, për të nisur një jetë të re larg Pakistanit.
Një veprim që familja e saj nuk e harroi kurrë, duke e cilësuar si çnderim i cili duhej ndëshkuar.
Samia u vra nga i ati, Muhammad Shahid, dhe nga ish- bashkëshorti i saj Muhammad Shakeel, të cilët ishin indinjuar nga sjellja e saj, e cila ishte martuar me dikë tjetër dhe kishte ndërruar besim fetar.
Që të dy u arrestuan pas krimit dhe do qëndrojnë pas hekurave deri në vijim të hetimeve. Kalvari i Samia, nisi disa vite më parë, kur familja e saj e martoi me shkuesi me një kushëri të saj, Shakeel. Në atë moment nuk kishte rrugë dalje dhe u detyrua të nisë të jetojë me të.
Më pas në vitin 2014, ajo braktisi të shoqin dhe u mohua nga familja e saj. Për të ishte një çlirim, ndaj u zhvendos në Bradford të Britanisë së Madhe, ku dhe u martua me një njeri që dashuroi, Mukhtar Kazam, që të dy me shtetësi britaniko- pakistaneze.
Ata ishin zhvendosur për të jetuar në Dubai dhe muajin e kaluar, në korrik, Samia kishte vendosur të takonte prindërit në Islamabad, për të ulur tensionet, por ai ishte udhëtimi i fundit i saj.
Ajo u vra nga ish- bashkëshorti dhe i ati, në atë që policia e quajti “krim për nder”. Autopsia zbuloi se e reja ishte mbytur dhe ishte dhunuar. Por dy të dyshuarit mohuan akuzat, duke pretenduar se vdekja e saj kishte ardhur për shkaqe natyrale.