Sejlan Pasuli, [60 vjeçe] ka arritur që ta mposhtë sëmundjen e kancerit në gji, por ajo tash po e ka të vështirë të mbijetojë nga kushtet e vështira socio-ekonomike, me të cilat është përballur pas diagnostikimit me kancer.
Në një banesë prej 60 metrash katrorë në Prizren, jeton me vajzën e saj 20-vjeçare, Andrrën.
Të ardhura të vetme që ato kanë, janë nga ndihma sociale në vlerë 100 euro.
“Për barna shpenzoj mbi 30 euro në muaj, plus udhëtimin që vij për kontrolle në Prishtinë. Jetoj edhe me ndihma që m’i japin të afërmit”, thotë ajo.
Zonja Pasuli para diagnostikimit me kancer për disa vjet ka punuar në një shkollë ndërkombëtare në Kosovë. Për operacion në një spital private, asaj i kishte ndihmuar financiarisht shkolla ku punonte si kuzhiniere me një pagë mujore prej 200 eurosh në muaj.
Por, pas shërimit, siç tregon, ajo më nuk arriti të kthehet në vendin e punës.
Institucioni ku ajo punonte nuk e kishte kthyer në punë, porse për tre vjet me radhë asaj i ishte ofruar një ndihmë mujore prej 150 eurosh.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar me drejtuesit e shkollës private lidhur me këtë çështje, por ata kanë thënë se zonja Pasuli mund të konkurrojë në këtë institucion nëse hapen mundësitë.
Por, eksperienca e zonjës Pasuli për të gjetur punë deri më tani nuk ka qenë e suksesshme. Aplikimet nuk kanë rezultuar as edhe me një ftesë për intervistë.
“Kam shikuar për punë, por askush nuk po më pranon. Edhe kur po e kuptojnë që jam e sëmurë nga kanceri…Kjo sëmundja e kancerit nuk është ngjitëse. Unë jam plot jetë, por jeta më ka rrëzuar pak”, shprehet ajo.
Besarta Fazliu, psikoterapeute tha se gjëja e parë dhe qenësore, sipas saj, është që shoqëria të hapet dhe t’iu jepet mundësia atyre grave që të integrohen në shoqëri.
“Duhet të gjithë të kenë një mobilizim, të gjithë aktorët, familja, shoqëria e institucionet që të ketë mundësi që atyre t’u jepet hapësira e nevojshme që ato të rikthehen në normalitetin e jetës. Kjo është qenësore t’u jepet shtysë që të riaktivizojnë reziliencën që është qenësore për ta rikthyer një person nga një gjendje fatale”, thotë ajo.
Fazliu thotë se mosdhënia e mundësisë për të punuar apo për t’u angazhuar me ndonjë aktivitet për personat që janë apo kanë qenë të prekur nga kanceri, ka bërë që ata të ndihen të paaftë.
“Ai apo ajo, në rast se nuk ka mundësi të angazhohet, dëmtohet edhe në aspektin psikik edhe i vështirësohet jeta. Ata mund të nxisin konflikte të tjera se do t’iu prishet bilanci jetësor”, shpjegon ajo.
Nafije Latifi, themeluese e shoqatës “Jeta Vita”, shoqatë kjo që ndihmon gratë e prekura me kancer të gjirit, thotë se gratë e kësaj kategorie duhet të angazhohen me punë dhe aktivitete të ndryshme, duke shkëmbyer përvoja të ndryshme.
“Me qenë shoqëri e organizuar, sigurisht që kishte ndodhur diçka, por në këtë mënyrë nuk bëhet. Ne kemi probleme edhe të diagnostikimit, edhe të trajtimit, edhe të mbulueshmërisë me barna edhe me staf e me shumë probleme”, thekson ajo.
Organizata “Jeta Vita” që merret me mbrojtjen dhe përkrahjen e grave është duke i ndihmuar gratë me aktivitete të ndryshme në aspektin psiko-social e moral.
Ndryshe, në Klinikën e Onkologjisë, prej janarit deri në pjesën e parë të shtatorit të vitit 2021 janë ofruar rreth 200,000 shërbime mjekësore onkologjike për pacientët e prekur me kancer.
Gjatë kësaj periudhe janë diagnostikuar 1,100 raste të reja me kancer. Më shumë se 300 gra janë diagnostikuar me kancer të gjirit.