Kandidimi i Ramiz Lladrovcit për kryetar të Komunës së Drenasit mund të konsiderohet jashtëligjor, sepse Lladrovci më 3 nëntor është bërë ligjërisht banor i kësaj komune, derisa sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale të Republikës së Kosovës qartësohet se kandidati për kryetar koune duhet të ketë qenë kryetar komune për të paktën tri vite.
“Kandidati për Kryetar të Komunës duhet të kualifikohet sipas nenit 30 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe për së paku tre (3) vite duhet të ketë qenë banor i komunës në të cilën ai apo ajo është duke garuar për t’u zgjedhur si Kryetar i Komunës”, thuhet në nenin 9.2 të Ligjit për Zgjedhje Lokale në Republikën e Kosovës.
Periskopi ka marrë vesh se Lladrovci është bërë banor i Prishtinës më 27 qershor të vitit 2013, ndërsa për të pasur mundësinë e kandidimit në zgjedhjet lokale në Drenas, pasi la postin e ambasadorit të Kosovës në Tiranë, Lladrovci erdhi dhe u bë sërish banor Drenasi më 3 nëntor të këtij viti.
Një shqetësim të tillë e ka ngritur mbrëmë edhe kandidati i Nismës për Kosovën Isa Xhemajlaj në emisionin Rubikon të KTV-së, ku tha se Lladrovci nuk ka qenë banor i Drenasit dhe kjo nuk i lejohet asnjë kandidati.
Mirëpo, sipas Xhemajlajt, Lladrovci u bë banor i Drenasit më 4 tetor dhe jo më 3 tetori siç kupton Periskopi nga një burim i mirëinformuar.
“Lladrovci u bë banor i Drenasit më 4 tetor dhe nuk mund të bëhet kryetar”, tha ai.
Megjithatë, në të dyja rastet ligji i lartëpërmendur shkelet nga Lladrovci.
Periskopi kontaktoi sot Zyren për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim (RPPC), që vepron në kuadër të KQZ-së, por kryetarja Miradije Mavriqi refuzoi ta dëshmojë me dokument se Lladrovci nuk e shkeli Ligjin për Zgjedhje Lokale, duke u arsyetuar se kjo është në kundërshtim me Ligjin për të Dhënat Personale.
Edhe pse Periskopi kërkoi nga ZRPP-ja një dokument verifikimi të certifikimit të kandidatit Lladrovci, Mavriqi e ashpër dhe me ton të lartë ia mohoi gazetarit të Periskopit qasjen në këtë dokument, që në asnjë mënyrë nuk është e dhënë personale e kandidatit Lladrovci, por dokument zyrtar në të cilin mund të kenë qasje të gjitha mediat – sepse e lejon Ligji për Qasje në Dokumente Publike.
“Nuk e di se çfarë jeni t’u dashtë. E kemi dokumentin, por nuk ua japim. Lladrovci është regjistru dhe është banor i Drenasit. Nuk mund t’u japim të dhëna personale”, tha ajo.
Pas një momenti tensioni dhe ngritje të tonit, Mavriqi mbylli telefonin pa paralajmërim.
Skandalet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjatë organizimit të zgjedhjeve lokale që do të mbahen në Drenas nuk ishin të pakta.
Sjellim në kujtesë veprimin kundërligjor të KQZ-së, duke e decertifikuar dy herë kandidatin e pavarur, Naim Bazaj përkundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), që e anuloi për të dytën herë këtë vendim të këtij institucioni.