Shtyhet seanca ndaj të akuzuarve për rastin e të miturës nga Drenasi

Prishtinë | 09 Tet 2020 | 10:37 | Nga Ekonomia Online

Është shtyrë për 28 tetor seanca ndaj disa të akuzuarve për rastin e të miturës nga Drenasi. Seanca e cila ishte paraparë të mbahej mëngjesin e sotëm është shtyrë, pas mungesës së psikologes dhe vonesës së vajzës nga Drenasi.

Në këtë seancë ishte e paraparë që të dëshmojë vajza nga Drenasi, e cila dyshohet se vite më parë ishte dhunuar seksualisht.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur, gjatë tetorit të 2019 ka ngritur aktakuzë, kundër gjashtë të pandehurve me inicialet Sh.Gj., V.V., G.H., F.C., I.R., dhe H.H., për shkak të dyshimit për abuzim në rastin e vajzës nga Drenasi.

Sipas Prokurorisë të njëjtit kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin”, “Nxitja e akteve seksuale me premtim të rrejshëm të martesës”, “Shtytja në ndërprerjen e palejuar e shtatzënësisë” dhe “Frikësimi gjatë procedurës penale”.

I pandehuri Sh.Gj.,i cili ishte mësimdhënës akuzohet për shkak të veprave penale “Keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin”, nga neni 239 paragrafi 1 pika 1.3 të KPRK-së dhe veprën penale “Nxitja e akteve seksuale me premtim të rrejshëm të martesës”, nga neni 240 të KPRK-së.

I pandehuri V.V.,i cili ishte zyrtarë policor akuzohet për shkak të veprave penale “Keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin”, nga neni 239 paragrafi 1 pika 1.3 të KPRK-së dhe “Shtytja në ndërprerjen e palejuar të shtatzënësisë”, nga neni 148 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 32 paragrafi 1 të KPRK-së.

I pandehuri G.H., e i cili ishte avokat akuzohet për shkak të veprave penale “Keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin”, nga neni 239 paragrafi 1 pika 1.3 të KPRK-së dhe “Frikësimi gjatë procedurës penale”, nga neni 395 të KPRK-së.

Ndërkaq, të pandehurit F.C., I.R., dhe H.H., akuzohen për shkak të veprës penale “Keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin”, nga neni 239 paragrafi 2 pika 2.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Rasti është proceduar në Gjykatë.

Kujtojmë se avokati Gazmend Halilaj, ishte ai i cili e ka nxjerrë në publik rastin për vajzën nga Drenasi e cila raportohet të jetë keqpërdorur seksualisht nga fillimisht një mësimdhënës, pastaj nga polici hetues tek i cili viktima kishte shkuar për ta paraqitur rastin, dhe nga gjinekologu ku kishte kryer abort viktima.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme