Megjithëse fushata zgjedhore nuk ka nisur ende zyrtarisht, subjektet politike do ta shfrytëzojnë këtë fundjavë për të mbajtur takime e vizita të ndryshme, në përpjekje për të bindur sa më shumë votues t’ua japin votën më 11 qershor.
Nga agjendat që i kanë dërguar shërbimet për informim të partive, aktiviteti i parë zgjedhor nis qysh në agim, e i fundit përfundon në mbrëmje, raporton Ekonomia Online.
Në kuadër të aktiviteteve zgjedhore, kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti, së bashku me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, do të udhëtojnë me autobusët e rinj të Prishtinës, bashkë me pensionistë. Ata do të hipin në stacionin e autobusëve mes Postës dhe AAK-së, herët në mëngjes rreth orës 6:15. Më pas, ata do të mbajnë një takim me pensionistë në Gërmi.
Blerja e rreth 50 autobusëve të rinj, përmes një kredie të BERZh-it, përmendet si e arritura kryesore e qeverisjes së Ahmetit në Prishtinë, i cili megjithëse është thënë se do të rikandidojë për kreun e Prishtinës, është përfshirë edhe në listën e Vetëvendosjes për deputetë.
Gjatë ditës, Kurti, me disa nga kandidatët për deputetë, do të vizitojnë edhe Tregun me Shumicë në Fushë-Kosovë (9:30); fabrikën “Bylmeti” në Fushë-Kosovë (11:30), do të mbajë tubim me gra në Prishtinë (13:00) etj.
Por, takime më shumë do të ketë kandidati për kryeministër i koalicionit LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti. Në ditën e parët të Ramazanit, ai ka paralajmëruar 6 takime në të katër anët e Kosovës.
Në ora 10:00, Hoti mban takim me struktura të LDK-së dhe biznese në Ferizaj; në 11:00 takon të rinj në Viti; në 13:00 do të jetë me të rinj në Prizren; në 15:00 viziton Qendrën “Bonevet” në Gjakovë; në 16:30 do të jetë në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë); për ta përmbyllur ditën në orën 19:00 me një takim me banorët e Rogovës
Me takime nuk mbetet pas as presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli. Ai do të vizitojë tri fabrika: Fabrikën e blloqeve “Vëllezërit Geci” në Skenderaj (11:30); “Hirano Mushrooms”, që është e bashkëbartiakut të tij, Agim Bahtiri në Gushavc të Mitrovicës (13:00) dhe fabrikën për prodhimin e mobileve “Loni Dekor” në Frashër (15:00).
Pacolli do të ketë dhe dy takime të tjera në këtë rajon; në Qendrën e Kulturës në Mitrovicë (14:00) dhe në restorant “Real” në Vushtrri (16:00); për ta përmbyllur ditën në Rogovë të Hasit, së bashku me partnerët e koalicionit.
Aktiv, gjithsesi, do të jetë dhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli, i cili ka nisur qe sa muaj shpalosjen e Fillimit të Ri. Agjendën e saktë, PDK, pritet ta bëjë publike në mëngjes.
Të gjitha takimet e paralajmëruara i gjeni (çdo ditë) në Kalendarin e Ekonomia Online.