Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Ava Max, së fundmi ka bërë edhe ajo një reagim lidhur me situatën e krijuar pas përhapjes së coronavirusit.
Artistja 25-vjeçare publikoi një fotografi në rrjetin social Instagram, ku shfaqej në cep të një dhome, gjersa gjithçka ishte nën ngjyrat e një ambienti të kaltër.
Në mbishkrimin e fotografisë, Ava Max, emri i vërtetë i së cilës është Amanda Ava Koci, bëri të ditur se po pezullon çdo aktivitet muzikor këto kohë për shkak të pandemisë.
Ajo gjithashtu u sugjeroi fansave që këtë periudhë ta shfrytëzojnë për të qëndruar të qetë me veten.
“Si ndjehem për këtë virus. Qëndroni të sigurt të gjithë! Kjo është një kohë e mirë për t’u kujdesur për mendjet dhe trupat tanë. Të lidhemi vërtet me veten. Do të tërhiqem nga e gjithë muzika e re gjithashtu, cilat shfaqje po shikoni këto ditë?”, ka shkruar Ava Max në Instagram, duke bërë të ditur kështu se edhe ajo këto ditë ka vendosur ta shijojë kohën duke parë shfaqje televizive.
Përndryshe, “Kings and Queens” mban titullin kënga më e fundit nga shqiptarja me renome ndërkombëtare, e cila është publikuar pak ditë më parë dhe është pritur mirë nga fansat e saj.