Evolucioni vjen përherë me një kosto – mund të jesh i mirë në not, mund të jesh i mirë në fluturim, por rrallëherë mund të jesh i mirë për të dyja.
Në gjuhën e përditshme, fjalët “evolucion”, “progres” dhe “përmirësim” janë përdorur në mënyrë të ndërkëmbyeshme. Por kur është fjala për evolucionin biologjik, gjërat jo gjithmonë funksionojnë në këtë mënyrë. Është po aq e mundur për një organizëm të zhvillojë karakteristika dhe aftësi të reja, sa është për një organizëm që t’i humbasë disa tjera. Kjo është ajo që disa njerëz e quajnë “devolucioni”, ose evolucioni “së prapthi” apo “regresiv”. Por ndoshta nuk duhet.
Një gjë është e qartë: evolucioni regresit, apo devolucioni, është emërtim i gabuar.
“Nga një pikëpamje biologjike, nuk ekziston një gjë e tillë si devolucioni”, thotë për Scientific American biologu Michael J. Dougherty. Për definicion, çdo ndryshim në gjenet e një grupi organizmash është evolucion – për mirë a për keq. (Natyra, nga ana e vet, nuk e dallon njërin nga tjetri). Ideja që mushkërintë janë më të mira se gushët apo që gishtërinjtë janë më mirë se kthetrat, buron prej besimeve shekullore se qeniet njerëzore janë kulmi i evolucionit. Në fakt, ne jemi vetëm një rezultat i miliona përshtatjeve që i ndihmojnë organizmat të mbijetojnë në mjedisin e tyre dhe të shumohen. Nëse rrethanat bëjnë që një organizëm me pupla prodhon më shumë pasardhës se një me këmbë, popullsia e të parit do të lulzojë. Kaq. Ky është evolucioni.
Ndoshta shembulli më i dukshëm i të ashtuquajturit “evolucion regresiv” është pinguini. Eshtë e qartë për këdo, por sidomos për biologët, që nëse shkon shumë larg prapa në kohë, në pemën evolucionare të pinguinit, do të gjesh një zog që mundet të fluturojë. Provat tregojnë se pinguinët e humbën aftësinë për të fluturuar më shumë se 60 milion vjet më parë, dhe studimet e fundit tregojnë përsenë: teksa krahët e tyre u bënë mjete më efikasë për të kërkuar prenë, ata u bënë më pak efikasë për t’i ngritur nga toka. Evolucioni vjen përherë me një kosto – mund të jesh i mirë në not, mund të jesh i mirë në fluturim, por rrallëherë mund të jesh i mirë për të dyja. Megjithatë, paaftësia për të fluturuar i hapi dyert aftësive të tjera. Ata u bënë më të mëdhenj, gjë që i bëri më të aftë të durojnë të ftohtin, dhe kockat e tyre u forcuan, gjë që i bëri të mos pluskojnë menjëherë në sipërfaqe të ujit. Pinguinët nuk patën regres evolucionar, ata thjeshtë u përmirësuan në atë që dinë të bëjnë më mirë.
Ka shumë shembuj të tjerë – gjarpërinjtë dikur kishin këmbë, zogjtë dikur kishin dhëmbë – por më surprizues mund të jetë fakti që paraardhësit e balenave nisën në det, zhvilluan këmbë dhe ecën në tokë, më pas u rikthyen në ujë dhe i humbën sërish. Në secilin hap të zinxhirit evolucionar, këto përshtatje unike ndihmuan organizmat të hanë më shumë, jetojnë më gjatë dhe të bëjnë më shumë pasardhës. Mendojeni kështu: balenat ndajnë një paraardhës evolucionar me hipopotamin, i cili i ruajti këmbët. Po të shohësh mënyrën se si secili prej tyre jeton në mjedisin e vet, me siguri nuk do të thonit që hipopotami është më i evoluar se sa balena, apo jo?