Shqipdona Lahu, studentja e cila kishte përfunduar Fakultetin e Mjekësisë më notën maksimale 10.0 nuk ka arritur të zgjidhej asistente në asnjërën prej tri lëndëve ku kishte konkurruar si asistente në këtë institucion.
Ajo përmes një shkrimi të publikuar në Facebook, është shprehur të jetë e indinjuar, ndërsa këtë vendim të Këshillit të Fakultetit të Mjekësisë e quajti të turpshëm, përcjell Indeksonline.
“Se është kriminalizuar gjithçka në Kosovë u vërtetua edhe me vendimin e këshillit të FM për angazhimin e personelit akademik, me ç’rast unë si studentja me sukesin më të lartë në studime, prej ekzistimit të këtij fakulteti, nuk zgjedhem asistente në asnjërën prej tri lëndëve ku kam konkurruar, edhe pse isha e vetmja me notën maksimale(10.0).
Për shembull, në lëndën e Anatomisë angazhohen dy kandidatë, ku asnjëri nga ta, në dy provimet e kësaj katedre (Anatomi 1 dhe Anatomi 2) nuk ka notë më të lartë se nota 8. Vallë si do ia dalin këta me studentët?!
Është turp të anashkalohen kandidatët që në këto dy provime kanë nota maksimale”, ka shkruar ajo.
Shqipdona tutje thotë se kjo tregon se edhe këtu ka nevojë për një task-forcë për luftimin e korrupsionit, klientelizmit, krimit të organizuar dhe anomalive tjera.
“Për më tepër, kjo tregon më së miri nivelin në të cilin është katandisur arsimi në tërësi, e veçanërisht ai universitar, andaj nuk ishte e rastësishme gjetja e ORCA- s në të cilën potencohet se 72% e profesorëve të UP-së, nuk i arsyetojnë thirrjet e tyre akademike, e 45% prej tyre s’kanë asnjë punim shkencor të publikuar në revista të mirëfillta shkencore.
Deklarimi i Albin Kurtit se për të rregulluar gjendjen në arsim duhen dy mandate është më tepër se i saktë, është profetik.
Nuk dua ta kuptoni këtë brengë si problem timin, ngase ai më së paku është imi”.
Madje studentja e dalluar shkruan se kjo ishte mundësia e fundit dhe fjala që i kisha dhënë babait dhe familjes për qëndrim në Kosovë, ngase Universiteti Teknik i Mynihut më ka akorduar doktoraturën, me të përfunduar studimet.
“Unë jam fitimtare, ju vuani që nuk jeni si unë!
Të gjithë ju, që në mënyrë direkte keni gisht në këto përzgjedhje, turpi ju mbuloftë!
Po nuk gjetët ilaç në Kosovë kur të sëmureni,
sepse vetë po i largoni kuadrot, mua do më gjeni në Mynih, e unë do kujdesem për ju aq mirë, sa ndërgjegjja t’ju mundojë tërë jetën.
P.S. Nga ky shkrim imi nuk duhet të ndihen të prekur profesorët e vërtetë”