Manifestimin tradicional me moton “Zbulimi i Hershëm-Mbijetesë”, organizuar nga Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”, ka mobilizuar institucionet në mbrojtjen e shëndetit të gruas, raporton Ekonomia Online.
“Është diçka që na prek të gjithëve. Nuk ka njeri në botë që nuk e kupton sa është me rëndësi diagnostifikimi i hershëm. Nëse duam të dimë se si duam të mbrojmë dhe të shpëtojmë nga ky rrezik është vetëm një përgjigje, është diagnostifikimi i kancerit të gjirit. Nëse është diagnostifikimi hershëm kaq i rëndësishëm çka mund të bëjëm ne, që të mos vonohemi. Mendoj që ky aktivitet i sotëm dhe vetë qendra që e ka qëllim diagnostifikimin e hershëm është dëshmi se ka vetëdije të madhe tek ne,” është shprehur kryeministri Ramush Haradinaj, në hapje të manifestimit.
Ai thotë se femrat duhet të inkurajohen që të marrin guximin njerëzor që të veprojnë me kohë për kontrollet.
“Qeveria ka bërë ndryshim për qasjen në shëndetësi. E di që s’jemi aty ku kemi qenë, të ndihmojmë edhe që diagnostifikimi i hershëm të bëhet sa më parë”, deklaroi Haradinaj.
Ish-presidentja Atifete Jahajga shprehu besimin se kanceri i gjirit mund të mposhtet dhe mund të luftohet, nëse diagnostifikohet herët.
“Ky është një hap shumë i mirë sepse kështu dëshmohet se ne ofrojmë kijdes dhe solidaritet për të prekurit nga kanceri i gjiri dhe zgjon vetëdijesim për këtë sëmundje. Është një nga sëmundjet më të vështira, është sëmundje që nuk diskriminon askënd. Kanceri i gjirit mund të mposhtet dhe mund të luftohet. Për ta mposhtur duhet të investojmë çdo ditë”, tha ajo.
Sipas Jahjagës, kanceri nuk zgjedhë persona, por njerëzit mund të zgjedhin si t’i ndërpresin efektet vdekjeprurëse.
“Nevoja për të ofruar shërbime në përputhje me interesat e qytetarëve dhe në ofrimin e kushteve më të mira sipas standardeve evropiane, ka qenë dhe është nevojë e madhe e jona. Jeta është gjëja më e shtrenjtë, kushtojini vëmendje shëndetit tutje, bëni kontrolle. Kanceri nuk zgjedh persona, por ne mund të zgjedhim se si mund t’i ndërpresim efektet vdekjeprurëse nga ajo”, deklaroi Jahajga.
Me të prekurat nga kanceri i gjirit ka bashkëndjerë sot edhe Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha.
“Kontrollet e rregullta të bëhen pjesë e jetës sonë, pjesë e kulturës. Na mbetet edhe neve institucioneve që të bëjmë punën tonë edhe më mirë, sepse ka hapësirë për përmirësime, t’u ofrojmë trajtime më të lehta, më të qasshme të gjitha atyre që kanë nevojë për këtë,” tha Hoxha.
Nafije Latifi, Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”, ka falënderuar mediet për të gjithë mbështetjen në vetëdijesimin e grave në rëndësinë e luftimit të kancerit të gjirit.
“Kanë mundësuar që informata për kancerin e gjirit të arrijë në çdo shtëpi, tek çdo grua. Me fushata mediale përçuam mesazhin informativ e ndërgjegjësues”, deklaroi Latifi.
Këtij manifestimi në vazhdimësi i bashkohet edhe komuniteti artistik, dhe shumë donatorë për të përcjellë mesazhe ndërgjegjësimi.