Edhe bombardimi i Serbisë i përkohshëm ishte… si sanksionet

Prishtinë | 04 Kor 2023 | 23:33 | Nga Mero Baze

Kryeministri i Kosovës ka vetëm dy argumente kundër sanksioneve të BE. E para, që ato janë të padrejta dhe e dyta, që ai shpreson të jenë të përkohshme.

Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare kanë nisur të aplikojnë sanksionet në Kosovë, në të gjitha fushat e përcaktuara nga Komisioni Evropian, pas hezitimit të kryeministrit të Kosovës të zbatojë planin e depërshkallëzimit të situatës në veri, krijuar nga tensionet që ka prodhuar politika e pakoordinuar e tij me aleatët perëndimorë.

Deri më tani janë pezulluar takimet e nivelit të lartë dhe të mesëm me zyrtarë të Bashkimit Evropian, janë anuluar takime delegacionesh në institucionet evropiane, janë ngrirë fondet me rëndësi jetike për Kosovën dhe po merren masa kufizuese dhe në bashkëpunimin në fushën e sigurisë, siç është rasti i Gjermanisë.

Sanksionet nuk janë diçka që vendosen me konsensus dhe ti të kesh mundësi t’i gjykosh si të drejta apo jo. Ato vendosen pikërisht se mungon konsensusi dhe bashkëpunimi. Kështu që nuk është në dorën e Albin Kurtit të gjykojë BE apo SHBA, njërën të quajë të padrejte e tjetrën naive.

As SHBA nuk është naive dhe as BE nuk është e padrejtë. Thjeshtë janë në një konflikt me politikën e shtetit të Kosovës dhe po i tregojnë asaj vijat e kuqe.

Argumenti i dytë i Albin Kurtit, është se ai shpreson që sanksionet do të jenë të përkohshme.

Të shpresosh që do të jenë të përkohshme, do të thotë se ti do të reflektosh dhe do të plotësosh standardet që të kërkon BE dhe SHBA. Vetëm në këtë kuptim mund të thuash që ato janë të përkohshme, kur të jetë diçka që varet nga ty.

Por në kushtet kur Albin Kurti jo që nuk reflekton, por i quan ato të padrejta, sanksionet nuk janë të përkohshme.

Nëse Kurti mendon se do vijë një ditë dhe BE e SHBA do lodhen nga sanksionet dhe do thonë “më mirë t’ia heqim”, duhet të jetë ose i lig, ose budalla.

Të gënjesh militantët duke thënë “Shpresojmë”, nuk do të thotë se ke strategji. Shpresa nuk është strategji, është besëtytni.

Sanksionet jo vetëm që nuk ndalen, por ato do të shoqërohen me vendime të tjera dramatike për Kosovën, nëse Albin Kurti do të hyjë në spiralen e rezistencën ndaj Perëndimit. Mund të diskutohet deri tërheqja e pranisë ndërkombëtare në Kosovë dhe lënien e Kosovës në rënie të lirë, si shtet i dështuar.

Nuk ka gjë më të përjetshme se gjërat e përkohshme. Edhe bombardimet e Serbisë të përkohshme ishin, për 76 ditë, por ndryshuan historinë e Serbisë, Kosovës dhe rajonit.

Nuk di çfarë mendon Kurti kur thotë se sanksionet ndaj nesh një ditë do të mbarojnë, pro është e sigurtë, se asgjë nuk do të jetë më si më parë, kur ato do të mbarojnë. Para tyre është e sigurt se do të ketë mbaruar Albin Kurti. Por frika më e madhe është se bashkë me të, do të dëmtohet rëndë Kosova.

U propozua nga drejtuesit e drejtësisë

Të ngjashme