Kanadaja nisi të hënën vaksinimin e qytetarëve kundër sëmundjes Covid-19.
Vaksina e parë Pfizer/BioNTech u dha në një shtëpi pleqsh në Toronto.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, konfirmoi të dielën vonë arritjen e vaksinave.
Grupi i parë i tyre u dërgua nga Belgjika, të premten.
Rreth 30,000 dozat e para do të shpërndahen në 14 lokacione të Kanadasë, ndërsa të moshuarit dhe punonjësit shëndetësorë do të kenë prioritet në vaksinim.
Të hënën, edhe SHBA-ja nisi imunizimin e popullatës me vaksinën Pfizer/BioNTech.
Kjo vaksinë, e cila është një bashkëpunim midis gjigantit farmaceutik amerikan, Pfizer, dhe kompanisë gjermane të bioteknologjisë, BioNTech, ofron mbrojtje deri në 95%.
Javën e kaluar, Mbretëria e Bashkuar ka nisur vaksinimin e popullatës po ashtu me Pfizer/BioNTech.