Është e habitshme që edhe 18 vite pas luftës Kosova gjendet në disfatë, në një pozicion ku vazhdimisht mashtrohemi duke na shitur si vlera teoritë boshe, fjalët e mëdha, folklorizmin, emocionalizmin momental dhe patriotizmin verbal. Kosova është vendi ku aspiratat manipulohen dhe shtypen padrejtësisht nga një grup oligarkësh politik të cilët kanë krijuar mekanizma politiko-juridik të pandeshkueshmërisë.
Është momentumi ideal për një rikthim të dinjitetshëm dhe lënie anash të retorikes boshe. Është koha e veprimeve, duke instaluar kultin e punës dhe kthimin e dinjitetit të qytetarëve.
Kosova para së gjithash ka nevojë për një ekonomi të qëndrueshme që është bazë për një jetë të dinjitetshme. Vendi ka nevojë për demokraci dhe drejtësi funksionale, në mënyrë që të gjithë të jemi të barabartë, pavarësisht gjendjes ekonomiko-sociale. Na duhet arsim cilësor në mënyrë që të mund të konkurrojmë me dije, spitale funksionale e të specializuara për shërim, djem e vajza të reja që dinë t’i nuhasin shenjat e kohës, që do të dinë ta gjejnë veten në epokën e teknologjisë, diplomacisë moderne e politikës globale.
Kosovës i duhen njerëz që nuk do të tallën më gjendjen e saj e as të hedhin baltë mbi të. Kosova ka nevojë për njerëz largpamës e vizionar, të cilët kanë aftësi t’i lexojnë lëvizjet globale politike dhe socio-ekonomike dhe të kuptojmë se lufta nuk ka përfunduar, por është kthyer ne një format më të sofistikuar dhe bashkëkohor si nga brenda ashtu edhe jashtë, duke shkatërruar idealet politike të njerëzve që sot janë shumë më të shpeshta se burgimet e likuidimet fizike.
Lufta speciale bashkëkohore po e rrënon vendin me korrupsion, krim, shantazhe e kërcënime të ndryshme që janë më të rrezikshme se armët. Jeta në paqe është një luftë e ashpër dhe e pandershme.
Ka ardhur koha që vendi të udhëhiqet nga njerëz atdhedashës, vizionar e të guximshëm, nga një elitë qeverisëse që do të krijonte premisa për të ngjallë shpresën, duke krijuar stabilitet politik e ekonomi të qëndrueshme, në shërbim të të gjithë qytetareve. Një elitë intelektuale dhe akademike që do të dijë të hartojë dhe të zbatojë platforma afatgjata nacionale për mbrojtjen dhe zhvillimin individual dhe kolektiv të qytetareve, të cilët do të jenë arkitektët e krijimit te shtetit modern.
Vendi ka nevojë për elita politike, të cilat nuk do të lejojnë që të tjerët t’ua caktojnë dhe imponojnë të ardhmen e tyre. Ne duhet të jemi pjesë e Evropës dhe të integrohemi në mekanizma ndërkombëtar, jo si të gjunjëzuar, por me punë dhe kokë lartë.
(Autori është nënkryetar i AAK-së)