Kuvendi i Shqipërisë i dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit u mblodh sot në seancën e parë të legjislaturës së IX parlamentare.
Seanca e parë e Kuvendit u mblodh në orën 10:00 dhe u drejtua nga deputeti socialist, Besnik Bare. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, Bare mbajti një fjalë përshëndetëse ku uroi që Parlamenti të kthehet në vlerë reale komunikimi të politikës.
“Për fat të keq politika konfliktuale e klasës politike është reflektuar edhe në popull”, tha Bare, ndërsa vlerësoi mesazhet e fuqishme që janë dhënë në këtë sallë nga personalitetet ndërkombëtare gjatë legjislaturave të kaluara.
Në vijim, Bare lexoi edhe listën emërore të deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit.
Gjatë kësaj seance u ngrit Komisioni i Verifikimit të Mandateve si dhe sekretariati që përbëhet nga tre deputetët më të rinj, Anduel Xhindi, Izmira Ulqinaku dhe Kejdi Mehmetaj.
Kuvendi do të mblidhet në një seancë të dytë pasdite (18:00), ku deputetët do të bëjnë betimin dhe do të zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit, ish-kreun e grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi. Ruçi ka mbështetjen e të gjithë deputetëve të PS-së, ndërsa PD dhe LSI kanë paralajmëruar votën kundër. Vendimi është marrë nga grupet parlamentare respektive një ditë më parë.
Zgjedhjet politike të 25 qershorit në Shqipëri nxorën 140 deputetë, të cilët u zgjodhën me sistemin proporcional rajonal. Në zgjedhjet e 25 qershorit PS mori 74 mandate, PD mori 43 mandate, LSI mori 19 mandate, PDIU mori 3 mandate dhe PSD mori 1 mandat.
Caktimi i numrit të mandateve të deputetëve për çdo zonë zgjedhore në të 12 qarqet e vendit, është si më poshtë:
Qarku Berat 7 mandate, Qarku Dibër 6 mandat, Qarku Durrës 14 mandate, Qarku Elbasan 14 mandate, Qarku Fier 16 mandate, Qarku Gjirokastër 5 mandate, Qarku Korçë 11 mandate, Qarku Kukës 3 mandate, Qarku Lezhë 7 mandate, Qarku Shkodër 11 mandate, Qarku Tiranë 34 mandate dhe Qarku Vlorë 12 mandate