Duhet me u vra a dhunue një grue/fëmijë në mënyrë makabre që bahet publike e s’un e fsheh kush, për me reague krejt. Një herë eufori dy ditë në Facebook, secili tuj u kallxu ma i artikuluem se tjetri me përkrahjen, vargjet e madje edhe dëshirën me i vjerrë fajtorët në shesh.
Dy ditë më vonë as 150 prej tyne s’dalin në protestën që organizohet vetëm mbasi ndodhin këto gjana.
Në ditën e tretë a katërt krejt vazhdojnë me punë të veta, edhe veç një grusht njerëzish vazhdon me e ngritë zanin për çashtjen.
Shkojnë do muej edhe dhunuesi/abuzuesi/vrasësi lirohet me kusht, apo i mban do muej dënim edhe veç kur e merr vesh se është lirue, nga postimet e këtij grushti njerëzish që ka vazhdue me e ngritë zanin.
Të tjerët shukasin, tuj pritë me ndodhë vepra makabre e rradhës, për me vendosë a kanë me lypë me e vjerrë fajtorin, apo me e arsyetue, tuj thanë “Hajt, se e ka lypë dajakun ajo.” ose “E ka vra, se ajo e kish lanë për dikë tjetër.” ose “E kanë dhunue, se a e ke pa qysh dilke me miniqa?”
Të tjerët e bajnë gjyqin, e vendosin moralin, e caktojnë fajësinë/pafajësinë, e do madje edhe lypin me i pshtjellë gratë me arsyetimin se po provokojnë shumë e po i “tundojkan” burrat, por thuja se asnjani, as burrë as grue, nuk do me e pranue që fajin kryesor e kanë burrat e frustruem, që i teri spaqimi, baballarët e tyne që i rrehin gratë, nanat e tyne që i arsyetojnë baballarët nji herë, e mandej edhe djemtë kur rriten.
E sistemi i shkërrdhyem i drejtësisë vazhdon me e ba mut, fejsbukerat vazhdojnë me folë për krejt çashtjet e mundshme për të cilat duhen me pasë një mendim, zdralat në rrugë vazhdojnë mu jargitë sa herë shohin femën e e shprehin qysh e kishin çnukë e rrotullue, e burrat kafshë vazhdojnë me i rrehë gratë e tyne tinza nëpër shpija.
Me u pas përdhunue një e moshës madhore, apo me e rrehë burri për sport, tybe s’kish reague kush kështu, por kish thanë se e ka lypë ajo.
Deri të përdhunohet prapë një fëmijë, apo të vrahet një grue, e qatherë çoheni prapë peshë dy ditë në Facebook e gjysë dite në protestë.
Edhe cikli i njajtë vazhdon në këtë shoqni të krymtë.
Njisoj çdo herë.