Edhe në Mitrovicë rrugët janë të kalueshme

Prishtinë | 05 Jan 2017 | 16:50 | Nga

Të gjitha rrugët në territorin e komunës së Mitrovicës janë të kalueshme, ka bërë të ditur drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj.

Ai ka thënë se bora që po bie në tërë territorin e komunës, e ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe të njerëzve, por megjithatë, rrugët janë të kalueshme.

Sipas tij, kompanitë kontraktuese kanë dal në terren dhe janë në gjendje gatishmërie, për të intervenuar në rast se do të rriten të reshurat e borës dhe do të ketë pengesa më të mëdha në qarkullim. Intervenim ka pas edhe nëpër rrugët e qytetit dhe të periferisë dhe aktualisht gjendja e tyre është relativisht mirë.

“Kemi ndërmarrë masa të duhura për të ofruar ndihmë për banorët e Shalës së Bajgorës, ku dimri zakonisht është më i ashpër. Do të shtohet përkujdesja për banorët e këtij rajoni”, tha ndër të tjera Dragaj.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri,  ka kërkuar nga drejtorët përgjegjës që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme në mënyrë që të mos lejohet bllokimi i asnjë rruge, sidomos të atyre në Shalën e Bajgorës.

“Duhet menjëherë të aktivizohen të gjitha kapacitete në dispozicion dhe rrugët të jenë plotësisht të qarkullueshme. Trotuaret duhet të pastrohen tërësisht nga bora  dhe të ju mundësohet njerëzve të lëvizin pa problem. Inspekcioni duhet të marrë masa ndaj të gjithë pronarëve të dyqaneve dhe objekteve tjera afariste, që nuk i pastrojnë hapësirat para objekteve të tyre”, ka thënë kryetari Bahtiri.

Të ngjashme