Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Halil Thaçi, i cili kishte ndikuar që një nga kushërinjtë e tij të punësohej në një konkurs skandaloz e të anuluar më pas nga KEK-u, ka sulmuar Prokurorinë e Shtetit pasi sot u arrestua kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje publike, Nagip Krasniqi.
Fatos Thaqi, kushëriri i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, ndodhej në mesin e 127 të punësuarve në një proces të dyshimtë rekrutues të KEK-ut, prillin e kaluar.
Lidhjen familjare me Fatos Thaqin, e kishte pohuar vetë ligjvënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, ndonëse thoshte se nuk ka ndikuar në konkursit të KEK-ut, që ishte anuluar më pas.
Megjithatë, ai e quajti të mirë lajmin për arrestimin e drejtorit të KEK-ut, por shtoi se është frikësuar se do të dëgjonte lajmin mbi atentatin ndaj tij.
Krasniqi dyshohet për tri vepra penale, duke përfshirë këtu edhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare.
Por siç shprehet Thaçi, Krasniqi ua ka ndalur “banditëve zhvatjen e KEK-ut”, transmeton Paparaci.
“Është lajm i mirë kur dëgjova arrestimin e Drejtorit të KEK-ut, pasi gjithmonë jamë frigu se do të dëgjoj lajmin mbi atentatin e tij, duke e ditur se sa banditave ju ka ndalë zhvatjen e KEK-ut”, shkroi ai në Facebook.
“Policia duhet të jetë e vëmendshme për sigurinë e tij, mbase atentatin ndaj tij mund të ndodhë edhe aty në mbajtje”, shtoi Thaçi.
Më parë edhe deputeti tjetër i partisë në pushtet, Arbër Rexhaj, sulmoi kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, se “po dëshiron me çdo kusht që të bëhet kryeprokuror i Shtetit”, edhe pse krerët e shtetit nuk po e duan.