Një grua tjetër akuzoi ish-nënpresidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, për sjellje të pahijshme.
Amy Lappos, ndihmëse e një kongresisti demokrat, tha se Biden i ka prekur fytyrën me të dyja duart dhe se ka fërkuar hundën e tij me të sajën, dhjetë vjet më parë.
Akuzat vijnë pasi Lucy Flores, ish-anëtare e Asamblesë së Nevadës, tha se Biden e ka puthur atë në pjesën e prapme të kokës, në një ngjarje politike.
Biden tha se nuk beson se ka vepruar ndonjëherë në mënyrë të papërshtatshme.
Pas akuzave të para kundër tij, Biden tha se është i gatshëm “të dëgjojë me respekt”.
Biden, ish-senator i Dellauerit, i cili ka shërbyer si nënpresident i SHBA-së gjatë dy mandateve të presidentit Barack Obama, shihet si kandidat i mundshëm për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në SHBA.
Mëgjithatë, një aleat i tij i tha CNN-it se Biden nuk po e rishqyrton kandidimin për Shtëpinë e Bardhë pas akuzave kundër tij.