Në serinë më të madhe të Arteve Marciale të Përziera, UFC, së shpejti do të debutojë edhe një luftëtar shqiptar.
Sajti “MMA Junkie” ka raportuar të premten se Ramiz Brahimaj do të debutojë në serinë UFC ndaj japonezit Takashi Sato, në ngjarjen që organizohet më 27 qershor në Las Vegas. Pritet që UFC-ja shpejtë të konfirmojë përfshirjen e Brahimajt në ngjarjen që transmetohet në ESPN dhe ku përballja kryesore është ajo në mes të Dustin Poirier dhe Dan Hooker.
Ramiz Brahimaj do të luftojë në kategorinë uelter.
“Fituesi i dy prej tri luftërave të fundit të tij, Brahimaj (8:2 bilanci në MMA, 0:0 në UFC), është dashur të përballet me Miguel Baeza në serinë Contender Series 19 të Dana White, në qershor të vitit të kaluar. Por u tërhoq për shkak të një lëndimi. Ai së fundi ka garuar në mars të vitit 2019, kur mposhti Carlos Martinezin në LFA 62”, ka shkruar “mmajunike.com”.
Sato ka bilanc 1:1 në UFC, serinë më të madhe të MMA-së (Arteve Marciale të Përziera).
Brahimaj është 27-vjeçar ndërsa jeton në SHBA. Në MMA, ku janë disa seri, ka tetë fitore e dy humbje. Ai është me prejardhje nga Kosova.
Në UFC ka vite që garon Ilir Latifaj.