Trupat ruse, që po arrijnë një Bjellorusi për ato që Moska e Minsku thonë se do të jenë ushtrime të përbashkëta, janë kërcënim i drejtpërdrejtë për Lituaninë, tha ministri i Mbrojtjes, Arvydas Anusauskas.
“Në situatën e tanishme ne e vlerësojmë hyrjen e forcave ushtarake ruse në Bjellorusi jo vetëm si faktor destabilizues të gjendjes së sigurisë, por gjithashtu edhe si kërcënim të drejtpërdrejtë edhe më të madh ndaj Lituanisë”, shkroi ministri në Facebook.
Ndryshe, sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, tha të mërkurën gjatë vizitës në Kiev se grumbullimi i trupave ruse afër kufirit të Ukrainës nënkupton se presidenti rus, Vladimir Putin, mund të japë urdhër për sulm ndaj Ukrainës për një kohë shumë të shkurtër.
Kryediplomati amerikan tha se shpreson fuqishëm se Rusia mund t’i përmbahet rrugës diplomatike e paqësore, kur ai të takohet me homologun rus, Sergei Lavrov, këtë javë në Gjenevë të Zvicrës për më shumë bisedime për uljen e tensioneve rreth Ukrainës.
“E dimë se ka plane për ta rritur atë forcë (ruse) edhe më shumë për një kohë shumë të shkurtër dhe kjo ia jep kapacitetin Presidentit Putin, gjithashtu për një kohë shumë të shkurtër, që të ndërmarrë veprime të mëtejme agresive kundër Ukrainës”, u tha Blinkeni diplomatëve në ambasadën e ShBA-së në Kiev.