Deputetët e Kuvendit të Kosovës nderuan me një minuta heshtje viktimat e Masakrës së Srebrenicës.
As në përpjekjen e 45-të, deputetët nuk e konstituan Kuvendin e Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesi Avni Dehari ua ndërpreu fjalën deputetëve. Megjithatë, ata arritën ta thonë ndonjë fjalë.
Abelard Tahiri i PDK-së tha se është hera e 45-të që kryesuesi është duke e shkelur Kushtetutën dhe se kjo është e papranueshme.
Ndërsa, Ekrem Hyseni i LDK-së i tha kryesuesit Dehari që të respektojë rendin kushtetues.
Time Kadrijaj e AAK-së tha se po e shohim që ka një bllokadë të qëllimshme të seancës.
Në sallë ishin 93 deputetë. Prej tyre, 49 votuan për asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Seanca zgjati sërish vetëm pak minuta dhe kryesuesi i seancës, Avni Dehari, i ftoi deputetët të mblidhen sërish pas 48 orësh, më 13 korrik.
Edhe më tej nuk ka pajtueshmëri midis Lëvizjes Vetëvendosje në njërën anë dhe partive të tjera në anën tjetër, për formimin e një komisioni për votim të fshehtë të kandidates për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Kusari-Lila kritikon opozitën pas dështimit të Kuvendit, bën thirrje për votim
Deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, kritikoi opozitën pas dështimit të 45-të me radhë të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
“Seanca konstituive sipas rregullores nuk parasheh debat parlamentar, por vetëm proces votimi, ndërsa opozita nuk po merr pjesë në votim dhe po mban diskutime, gjë që sipas saj është shkelje e rregullores.
Është e qartë në rregullore se seanca konstituive nuk parasheh debat parlamentar. Ka vetëm proces votimi. Opozita nuk po merr pjesë në votim dhe për më tepër po mban diskutime, çka përbën shkelje të dytë”, tha Kusari-Lila.
Deliu-Kodra: Një protestë ndaj një partie që e ka marrë peng këtë Kuvend
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, bëri thirrje për protestë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke e akuzuar atë për pengimin e punës së Kuvendit dhe uzurpim të institucioneve, raporton Ekonomia Online.
“Sot nuk lejohen ta ushtrojnë mandatin e tyre përfaqësues, ky mandat nuk na është dhënë nga një parti politike, por na është dhënë nga qytetarët, ndaj të cilëve ndjejmë obligim dhe përgjegjësi qytetare.
Fjala ime sot është një protestë, një protestë ndaj një partie e cila e ka marr peng këtë Kuvend, protestë ndaj pushteti që fare s’i intereson jeta e rëndë që përballen qytetarët e Kosovës, i intereson vetëm ruajtja e karriges”, tha Deliu-Kodra
Lushaku-Sadriu: Erdhën në pushtet me kauzën kundër korrupsionit, tash VV-ja simbol i tij
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku -Sadriu tha se është e çuditshme se si Lëvizja Vetëvendosje, e cila erdhi në pushtet me kauzën kundër korrupsionit, po bëhet simbol i saj, raporton Ekonomia Online.
“Qeveria Kurti i ka bërë dëm epokal vendin tonë. E para, të gjithë këta që i kanë uzurpuar zyrat e qeverisë, bartin përgjegjësi për të gjitha këto vendime që po i marrin në mënyrë jokushtetuese, aq më tepër për procedura prokurimi, ku nënshkrimet e tyre validojnë për zgjedhje që shkojnë në dëm të buxhetit të Kosovës”, tha Lushaku-Sadriu.
Kadrijaj: Albin Kurti është strumbullari i korrupsionit e i keqpërdorimeve
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, gjatë qëndrimit në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, pas seancës, tha se kryeministri në detyrë ka ardhur në pushtet me premtime të mëdha, por që nuk ka realizuar asnjë, raporton Ekonomia Online.
“Deputetët e frustruar të Lëvizjes Vetëvendosje me britmat e tyre po e pengojnë edhe atë pak fjalë që po na lë kryesuesi i Kuvendit, dhe neve nuk na ka mbetur tjetër pos të drejtohemi përmes medieve. Albin Kurti ka ardhur në pushtet me premtime të mëdha, një prej premtimeve që ka marr më së shumti mbështetje ka qenë se do t’i luftonte oligarkët, ndërsa sot çfarë po bën kjo qeveri dhe kjo parti? A është oligark Martin Berisha? Ambasadori i Kosovës në Kroaci, i akuzuar së fundmi nga zyra e prokurorit në Slloveni, për veprën penale keqpërdorim i pozitës nga një zyrtar dhe abuzimi me miliona euro. A kemi pasur kritike dhe shkarkim të këtij drejtori? Jo, s’kemi pasur, sepse është shok i Albin Kurtit dhe jo që s’është sulmuar, por është mbrojtur”.
Kadrijaj përmendi edhe, siç i quan ajo, skandalet e Nagip Krasniqit, Dejohna Mihalit, Ridvan Muharremit, Rozeta Hajdarit e Driton Dalipit.
“Albin Kurti është strumbullari i korrupsionit e i keqpërdorimeve bashkë me kabinetin e tij qeveritar”, tha ajo.
Limaj: Do ta ftoj Kurtin për kafe javën e ardhshme
Pas dështimit të 45-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se do të vazhdojnë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për ngërçin politik dhe ka paralajmëruar një takim të mundshëm me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, javën e ardhshme, raporton Ekonomia Online.
“Do të vazhdojmë takimet, kryeministrin nëse nuk gaboj është në Bosnjë. E kam ndër mend ta ftojë për kafe javën e ardhshme.
Zgjidhja përfundimtare e krizës duhet të fokusohet në interesin shtetëror dhe në funksionalizimin e institucioneve demokratike. Kam përshtypjen që ky ngërç përfundimisht duhet të kalohet, duke vendosur në epiqendër shtetin”, tha Limaj.