Deklarata e kandidatit për kryeministër të ardhshëm të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, se nuk do të lejojë që mjekët të punojnë në sektorin publik dhe në të njëjtën kohë edhe në sektorin privat, ka ngjallur reagime të shumta te mantelbardhët.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, thotë për EkonomiaOnline se kjo ide nuk është analizuar si duhet, por nëse vetëm vendoset të ketë diçka të tillë, duhet të vlejë për të gjithë sektorët, e jo vetëm për mjekët.
Sejdiu thotë se fillimisht do duhej të analizohej se cili do të jetë rezultati i kësaj.
“Nuk e shohim diçka të keqe, pse jo është një vendim politik që mund të merret përkundër disa pengesave që mund të dalin ndërkohë ligjore edhe ne nuk shohim diçka të keqe. Por, unë besoj se si një qeveri e re si politikë në përgjithësi, do duhej të analizohej pse, cila është arsyeja, cili do të jetë rezultati, anën tjetër, pse veç mjekët. Pse jo, profesionet tjera, pse jo profesorët e Universitetit, pse jo deputetet pse jo ekonomistët që punojnë gjithandej në strukturat qeveritare, pse jo juristet pse jo arsimtaret e shkollave të mesme. Kështu që nëse është si parim strategji qoftë ajo me liru vende të reja të punës apo me krijua vende të reja, ikjes së mundësisë së manipulimit në këtë rast të pacientit, të studentit, atëherë shumë mirë”, theksoi Sejdiu.
Sejdiu thekson se me këtë ide nëse qëllimi është te brenga e pacientit se po manipulohet e që ka raste, duhet të monitorohen.
Sipas tij, mjekët po stigmatizohen. Ai përmendi rastin edhe kur mjekëve iu është kërkuar deklarimi i pasurisë.
“Unë mendoj se nuk ka asgjë të keqe këtu, po e keqja është e madhe është se pse mjekët stigmatizohen sepse ka qenë edhe një ide që mjekët të deklarojnë pasuri, po nëse deklarojnë të gjithë ata të cilët janë të cenueshëm nga korrupsioni e mit=marrja që janë të gjithë ata që marrin të holla nga buxheti i konsoliduar i Kosovës, atëherë unë jam i pari që do të nënshkruaj një gjë të tillë. Por, stigmatizimi dhe vetëm arsyeja e gjuajtjes së mjekëve nuk mund të përkrahet”, deklaroi Sejdiu.
Nëse mantelbardhëve iu vihet kusht që të zgjedhin se a duan të punojnë në sektorin publik apo privat, sipas Sejdiu, do t’i dëmtojë ata financiarisht.
“Unë mendoj se edhe dëmtohen financiarisht, anën tjetër çdo njëri prej neve do të ishte i lumtur që të ketë një siguri financiare aty ku është në sistemin publik dhe pas dite si gjithë të tjerët të vazhdojë jetën private. Të gjithë e dinë se mjekët kanë qenë më të diskriminuarit me pagën me punën që e bëjnë, mbi kualifikimin profesional që e kanë mbi kualifikimin akademik që e kanë dhe normal që është dashur të shkojnë në drejtimin ku mund të gjejnë zgjedhje”, u shpreh ai.
Sejdiu më tej thekson se nëse mjekët do të duhej të zgjedhin, do të zgjedhin sektorin publik.
“Unë mendoj se shumica do të tërhiqen nga sistemi privat sepse kemi sistem privat jo të rregulluar jo stabil në tregun e madh ekonomik të Kosovës dhe normal ai kërkon sigurinë dhe në këtë rast siguria është në institucionin publik. Sektori privat do të ballafaqohet me mungesë të mjekëve që ti bëjë konkurrencë sektorit publik. Në anën tjetër çfarë do të shohim do të ketë një invazion i mjekëve të huaj me kualitete të dyshimta siç kemi shumë raste në sektorin privat”, tregoi Sejdiu.
Mirëpo, nëse ndodh e kundërta, Sejdiu thotë se do të bëhet një problem shumë i madh.
”Nëse bëhet zhvendosja nga sektori publik në atë privat do të bëhet një problem i madh. Ka institucione private që janë stabile edhe unë besoj që mjekët ata që kanë them peshë profesionale ata do të orientohen në sektorin privat qoftë ai vetë i iniciativës apo investitorëve të tjerë edhe tani do të kem vajtimin s e mbetëm pa ekspertizë brenda sektorit publik dhe do shohim një zhvendosje të pacientëve në sektorin privat”, tregoi kryetari i Odës së Mjekëve, duke shtuar se këtë problem do ta zgjidhte një sigurim shëndetësor i qëndrueshëm.
Nëse fillon të ketë zhvendosje të mjekësve në sektorin privat dhe pacientët mos të kenë mundësi për kontrolle, atëherë ai thotë se përgjigjen këtu do ta ketë politika, sepse çdo vendim që merret në këtë drejtim duhet të analizohet shumë mirë ku janë përfitimet dhe ku dëshiron me arrit kush është përfituesi i saj.
Gjykata Kushtetuese, në vitin 2013 pikërisht për këtë çështje, iu kishte dhënë të drejtë mjekëve që të punojnë edhe në sektorin publik dhe në atë privat.