Bizneset “Sigal Uniqa Group Austria”, “Deloite”, “Porsche Kosova”, “BpB” dhe “Asseco” janë anëtarësuar në Këshillin e Investitorëve Evropian (KIE).
Kryetari i Bordit të KIE-së, Robert Erzin, tha se KIE ka investuar më shumë se 1 miliard euro dhe punësimin e 8 000 punëtorëve, raporton Ekonomia Online.
“Që nga viti 2014 këshilli i KIE është bërë shoqata më rëndësishme e biznesit e cila përfaqëson fuqishëm interesat e investitorëve evropian, e cila ka arritur që të krijoj kanale të fuqishme të bashkëpunimit dhe komunikimit me Zyrën e BE në Kosovë, Qeverinë e Kosovës si dhe të ndikojë në politikat publike dhe të jetë zëri kryesor i biznesit evropian në Kosovë”, tha ai.
“Krijimi i një platforme të tillë me ndikim zakonisht merr kohë, por që KIE me dialogun e investimeve dhe duke qenë anëtar në shumë platforma të afarizmit dhe pjesëmarrëse në komisione qeveritare në baza të rregullta ka arritur që të luaj rol të rëndësishëm në këtë sferë”, tha Erzin.
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, u shpreh e lumtur për anëtarësimin e këtyre bizneseve në KIE, duke thënë se investimet janë shumë të rëndësishme për Kosovën.
“Dua ti komplimentoj të gjithë anëtarët që e kanë mbajtur Këshillin si shtyllë për ekonominë e Kosovës. Ndikimi i investimeve është shumë i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës. Është zëri dhe adresa kryesor për investitorët ekzistues edhe ata të rinjtë”, tha Apostolova.
“MSA-ja është shtyllë tjetër e rëndësishme që lidh BE me Kosovën në shumë sektorë dhe në të drejtat në tregti, në eksport… Ajo është një testament për përkushtimin në agjendën evropiane. Dje, BE ka vendosur ta vazhdojë bashkëpunimin dhe përkushtimin e saj për reforma ekonomike në Kosovë të cilat nëse aplikohen në mënyrë të duhur ato do të kenë ndikim të madh në ekonominë e Kosovës”, theksoi Apostolova.
Zv.drejtori i Bankës “BpB”, Artan Sadiku, tha se fokusi i saj është te bizneset e vogla dhe të mesme “dhe ne kemi për të dhënë kontributin tonë në Këshill edhe përmirësimin e ambientit të biznesit në Kosovë”.
Në fund anëtarëve iu shpërndanë certifikatat e anëtarësisë.