Asambleja e KiE-së kundër djegies së mandateve të opozitës në Shqipëri

Prishtinë | 26 Shk 2019 | 13:25 | Nga Ekonomia Online

Bashkëraportuesit për monitorimin e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, gjermani Andrej Hunko dhe irlandezi Joseph O’Reilly kanë shprehur shqetësim për heqjen dorë nga mandatet nga opozita parlamentare në Shqipëri.

“Në një shoqëri demokratike, parlamenti është qendra e debatit politik, dialogut dhe e vendimmarrjes. Deputetët e kanë vendin në parlament, nënvizohet në një deklaratë të dy raportuesve”. Duke përshëndetur faktin se protestat e fundjavës u mbajtën në mënyrë paqësore, raportuesit sidoqoftë i bëjnë thirrje deputetëve të opozitës të rikonsiderojnë dorëheqjen, e t’i rikthehen punës në Kuvend.

Njëkohësisht raportuesit i bëjnë thirrje shumicës qeverisëse që t’i sigurojë opozitës hapësirën e duhur për të funksionuar e të angazhohet në një dialog të sinqertë e domethënës me opozitën mbi reformat kyçe dhe qeverisjen e vendit.

“Të dyja palët duhet të përdorin parlamentin për t’u angazhuar në mirëbesim në një dialog të tillë, për të kapërcyer ngërçin actual politik. Nëse kërkohet, ne jemi të gatshëm për të ndihmuar kolegët tanë nga të dyja palët në këtë përpjekje”, -përfundon deklarata e bashkë-raportuesve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme