Shefat e diplomacive të vendeve të BE-së po takohen në Vjenë me homologët e tyre nga vendet kandidate për anëtarësim. Ky takim ka shërbyer edhe për deklarata lidhur me idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një zgjidhje afatgjate ndërmjet dy vendeve.
Ministri i Jashtëm i Finlandës, Timo Soini vlerëson së mundësia e shkëmbimit të territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të jetë e rrezikshme nëse nuk përgatitet mirë.
“Çështja është e komplikuar, historia e luftës është e vështirë dhe duhet të jemi të kujdesshëm që mos të shkaktojmë probleme tjera”, ka thënë ai.
Ai në Vjenë ka thënë se është mirë që presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq po bisedojnë për zgjidhjen e problemit të Kosovës, transmeton lajmi.net.
“Kjo është pozitive, por sa i përket çështjet së shkëmbimit të territoreve momentalisht nuk mund të jap qëndrim përfundimtar”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, ministri i Jashtëm i Belgjikës, Didier Reynders tha se një marrëveshje finale varet direkt nga dy shtetet, pra Kosova dhe Serbia.
“Është e rëndësishme elementet e marrëveshjes. Nuk duhet që BE-ja të përcaktojë udhëzimet se çfarë duhet të përfshijë marrëveshja. Ne po mbështesim bisedat e tyre”, tha Reynders.
Kurse ministri i jashtëm i Rumanisë, Teodor Viorel Melescanu tha se marrëveshja finale Prishtinë-Beograd, do të hapte rrugë për të marrë vendimet përfundimtare për njohjen ose jo të Kosovës.
“Kjo do të na jap një ndihmë. Shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, do të vinin në një vendim përfundimtar”, tha ai.
Kurse për këtë temë sot foli edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini.
Ajo tha se BE-ja mbështetë çdo lloj marrëveshje që e arrijnë Kosova dhe Serbia.
“Cilido që të jetë rezultati i dakorduar në mënyrë reciproke, do ta ketë mbështetjen tonë, me kusht që ai të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, tha Mogherini.