I tërë personeli prej 240 punonjësve të kompanisë publike “Trainkos” që nga janari i vitit të ardhshëm do të kenë numra të VALA-s, sikurse pjesa më e madhe e institucioneve publike e shtetërore dhe ndërmarrjeve të shumta private.
Kjo u mundësua të enjten pas nënshkrimit të marrëveshjes nga ana e zëvendëskryeshefit të Telekomit të Kosovës, Zeqir Kiqina dhe Kryeshefit Ekzekutiv të ndërmarrjes publike “Trainkos”, Gelor Shala, marrëveshje kjo, e cila automatikisht të gjithë stafin e kësaj ndërmarrje e kalon në operatorin publik Vala.
“Fakti që deri më sot personeli i kësaj ndërmarrje ka përdorur numrat e një operatori tjetër konkurrent dhe tash e tutje do t’i bashkëngjiten VALA-s, tregon më së miri se shërbimet dhe atraktiviteti i produkteve tona janë gjithnjë e më tepër duke u mirëpritur nga shumë institucione, ndërmarrje dhe biznese private dhe gjithashtu edhe nga konsumatorë të rinj”, theksoi Zëvendëskryeshefi i Telekomit të Kosovës, Zeqir Kiqina.
Nga ana e tij, Kryeshefi Ekzekutiv i “Trainkos” bëri të ditur se stafi që ai udhëheq do të ketë lehtësime dhe përparësi të tjera të komunikimit që është një ndihmesë e madhe teknike për mbarëvajtjen e punëve operative.
”Ne tash e tutje përmes Valës do të kemi shumë mundësi teknike jo vetëm për të lehtësuar komunikimin tonë, por edhe për të kryer më shumë punë përmes internetit të shpejtë dhe mundësive tjera që ofron Vala”, pohoi Gelor Shala, Kryeshef Ekzekutiv i “Trainkos”.
Marrëveshja e sotme dëshmon përkushtimin e Telekomit të Kosovës për të plotësuar në vazhdimësi nevojat e të gjithë konsumatorëve, institucioneve publike dhe atyre private, për qasje sa më të lehtë në shërbimet e telefonisë mobile, fikse, internetit të shpejtë dhe IPTV-së.