Edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar mohon takimin me Presidentin e Serbisë

Prishtinë | 20 Kor 2017 | 18:10 | Nga

Asnjë takim nuk është zhvilluar me presidentin serb Aleksander Vuçiq nga zyrtarë të Speciales. Edhe në Zyrën e Prokurorit të Specializuar mohojnë se përfaqësues të tyre kanë takuar kreun e shtetit serb.

Shqetësimi i ngritur të shtunën nga ambasadori kosovar në Beograd Valdet Sadiku se zyrtarë të Speciales kanë takuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq, janë duke u mohuar edhe nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Ata në një përgjigje dhënë Expressit kanë sqaruar se nga zyra e tyre askush nuk është takuar me shefin e shtetit serb.

“Asnjë zyrtarë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk është takuar me presidentin e Serbisë Alseksander Vuçiq”, kanë thënë nga zyra e Prokurorit. Edhe Dhomat e Specializuara kanë mohuar diçka të tillë.

“Asnjë zyrtar i Dhomave të Specializuara të Kosovës nuk është takuar me Presidentin e Serbisë, Vuçiq”, kishte thënë Avis Benes, zëdhënëse e Gjykatës Speciale.

Në mediat kosovare të shtunën janë publikuar dy korrespodenca të Valdet Sadikut drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme. Aty, sqarohet aktiviteti i shtuar i Gjykatës Speciale në Serbi.

Me letrën e parë, Valdet Sadiku e ka informuar MPJ-në se mbështetur në një burim të tij, përfaqësues të Gjykatës Speciale ditëve të fundit kanë pasur takime në Beograd, përfshirë edhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Aty ka bërë të ditur se Vuçiq ka premtuar se shteti i Serbisë do t’i ofrojë mbështetje maksimale Gjykatës, si në aspektin logjistik, ashtu edhe sa i përket bashkëpunimit me institucionet serbe.

Kurse Ministria e Punëve të Jashtme e ka klasifikuar si të pakonfirmuar informatën e Ambasadorit kosovar në Beograd, Valdet Sadiku. Kanë shtuar se do ta përcjellin për së afërmi këtë situatë.

Gjykata Speciale është funksionalizuar para pak kohësh dhe mund të fillojë me aktakuzat e para ndaj të dyshuarve për krimet e kryera para dhe pasluftës në Kosovë.

Të ngjashme