Nga New York-u, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të vijë nesër për vizitë zyrtare në Kosovë.
Arsyeja e vizitës së tij janë tensionet dhe sulmet në veri të Kosovës, që nisën një javë më parë, kur Qeveria e Kosovës, vendosi reciprocitet për targat e përkohshme për automjetet me targa të Serbisë.
Takimi i parë i Ramës do të jetë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, me të cilin do të bisedojë për tensionet e fundit me Serbinë, por edhe do të jetë takimi i parë pas një kohe të gjatë që dy kryeministrat replikojnë në distancë për iniciativën “Open Balkan”.
Qëndrimi i kryeministrit shqiptar mbi reciprocitetin e targave me Beogradin, pritet të publikohet në një konferencë shtypi.
Rama nuk do të takohet me presidenten, Vjosa Osmani dhe as me kryeparlamentarin, Glauk Konjufca.
Mirëpo, ai do të pritet në takim nga tre liderët e opozitës: Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Rama do të dekorojë edhe akademikun, Rexhep Qosja.