Edona Maloku-Bërdyna, ambasadore e re e Kosovës në Portugali

Prishtinë | 23 Gus 2024 | 11:34 | Nga Ekonomia Online

Edona Maloku-Bërdyna është emëruar ambasadore e re e Kosovës në Portugali.

Për këtë ka njoftuar ministrja e Jashme Donika Gërvalla.

“Edona Maloku Bërdyna është një figurë e shquar në shkencat sociale, me një karrierë që bashkon hulumtimin akademik, praktikën e aplikuar dhe zhvillimin e politikave në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Ajo ka doktoraturë në Psikologji/Shkenca Sociale nga Universiteti Leiden në Holandë, ku edhe ka përfunduar Masterin e Shkencave me vlerësimin më të lartë të dhënë në universitetet holandeze (Cum Laude)”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

Ajo ka thënë se puna e Maloku-Bërdynës është njohur dhe vlerësuar në shkallë globale, “duke përfshirë çmimin prestigjioz Otto Klineberg dhe disa njohje ndërkombëtare për ndikimin e saj në ndryshimin social dhe drejtësinë shoqërore”.

“Me këtë përvojë të pasur dhe vizion të qartë, jemi të bindur se nën drejtimin e saj, marrëdhëniet e Kosovës me Portugalinë do të arrijnë nivele të reja të zhvillimit dhe bashkëpunimit. Në arsim, kulturë, ekonomi dhe fusha të tjera kyçe, Maloku Bërdyna do të sjellë një perspektivë të freskët dhe energji të reja për të fuqizuar këto lidhje”, ka shkrua ajo.

Gërvalla ka falënderuar ambasadorin e deritashëm për punën. “Një falënderim për Ambasadorin e deritanishëm, Ylber Kryeziu, për angazhimin dhe kontributin e tij gjatë këtij shërbimi jashtë vendit”, ka shkruar Gërvalla.

Të ngjashme