Kandidati për kryetar të PD-së, Eduard Selami ka shkruar një status në profilin e tij në “Facebook”, ku shprehet se vizioni që ka Lulzim Basha për Partinë Demokratike është i vjetër dhe për më tepër humbës, ndërsa vijon të thotë se ka vizion të qartë sesi ta nxjerrë nga humbja partinë më të madhe opozitare në vend.
“Zoti Basha duhet të kishte hapur garën, të hiqte murin e autoritarizmit në PD, të publikonte listën e anëtarësisë. Nuk kemi çfarë të fshehim. Gara ka filluar e pabarabartë, vazhdon të jetë e pabarabartë, por është tërësisht e fitueshme. Gara është e pabarabartë nga ana strukturore, por është gjithashtu totalisht e pabarabartë nga ana e vizionit. Përballet vizioni i vjetëruar i zotit Basha, i refuzuar nga qytetarët në 25 qershor dhe vizioni im i vlerave demokratike. Unë do të ndjek vizionin tim që do të jetë vizion fitues dhe jam i bindur që do të vijmë në pushtet që në zgjedhjet e para që do të mbahen”, ka thënë ai, shkruan gazeta Shekulli.