Edukim apo dënim për të miturit

Prishtinë | 23 Jan 2024 | 20:20 | Nga Flamur Hyseni

Pamjet nga video e publikuar ishin tronditëse. Reagimet konkurruese me tronditjen. Pavarësisht kush e ka kryer veprën e dënueshme me ligj, normat juridike vlejnë për rastin, por kësaj here ka një dallim, bëhet fjalë për të mitur. Ligji e përcakton krejt ndryshe “drejtësinë” – dënimin për të mitur. Jo vetëm te na, por në të gjitha shtetet.

“Drejtësia” për të miturit është faza e fundit që mund të bëjë pak punë. Kryesore janë: edukimi dhe shëndeti mendor.

Reagimet e tipit hakmarrës nuk kryejnë punë. Hakmarrja është vepër penale. Reagimet e tilla, afërsisht janë të nivelit me kryerësit e krimit.

Në vend që reagimi të drejtohet ndaj prindit, prindërve, familjes, shkollës, dhe institucioneve tjera sipas përgjegjësisë që kanë konkretisht për këtë rast, reagimi drejtohet ndaj atyre që tani vetëm se pritet të epët “drejtësi”. Pra, reagimi nuk është drejtuar në adresën e duhur. Ç ‘kuptim ka? Reagimi është me motive hakmarrëse.

Reagim duke rënë ndesh me ligjin për diçka që ka ndodhur në kundërshtim me ligjin. Mungesë e madhe e edukimit dhe vetëdijesimit.

Mënyra e reagimit është treguesi i nivelit të ndjeshmërisë për DREJTËSI.

Si duket nuk po mjaftojnë proceset tjera shoqërore për ta shfry mllefin publikisht, po duhet të ndodh ndonjë vrasje e rënd, dhe atë duke e dëshmuar me video. Vrasjet e rënda gradualisht po bëhen normale. Reagimet ndaj tyre janë jo normale.

Mjafton ti kujtojmë së paku pesë vrasjet e rënda në tri vitet e fundit. Vrasja e Marigonës 18 vjeçare (22/08/2021). Vrasja e Hamides (shtatzëne) në oborr të Spitalit (30/11/2022). Vrasja e Liridones (29/11/2023). Vrasja e A. B (16/12/2023), dhe tani vrasja e Lulzim Fejzullahu, 18 vjeçar (14/01/2024).

Deklaratat: “edhe në shoqëritë tjera ndodhin këto”, përveç se janë amatore, janë edhe ikje nga përgjegjësia.

Reagimi kaq euforik, ndërsa bëhet fjalë për të mitur (16 dhe 17 vjeçar), e dëshmon saktë se, reagimi dhe qasja pikërisht euforike dhe arrogante ndaj të miturve (fëmijëve) e ka sjellë në këtë nivel delikuencën e tyre, arrogancën dhe mungesën e edukatës.

Nëntë vepra të kryera dhe është neglizhuar si rast! Kjo është shumë shqetësuese. Përgjegjësia bie mbi institucionet përgjegjëse, veçanërisht për institucionin kryesor, Familjen (prindin, prindërit). Pra, “drejtësia” është provuar ka dal e pasuksesshme. A është provuar edukimi dhe risocializimi? Po del se jo. I mituri i ka kryer nëntë vepra kundërligjore, duke e finalizuar të dhjetën me mbytje të njeriut. Po të ishte marr seriozisht familja dhe institucionet përgjegjëse, sot këta dy të mitur do të ishin të dobishëm për shoqërinë. Lulzimi kishte me vazhdua me proceset e tija jetësore.

Ambienti në të cilin po rriten fëmijët tanë, deklaratat e prindërve nëpër të ashtuquajturat “mbledhje të prindërve për periudhat”, “hajt se të ri janë”, “boll kanë me heke”, “si të krejt ëve”, “isha lla i ruan zoti”, “çka ta kanë të shkruamë”, e deklarata tjera të palogjikshme dhe të pavetëdijshme, sidomos miratimi i mësimdhënësve duke e lëvizur kokën poshtë e lartë, nuk pritet se kanë me sjell diçka tjetër përveç se: të miturit me mbytë të rritur.

Të ngjashme