Federata Evropiane e Hendbollit (EHF) ka marrë vendim të prerë rreth çështjeve të simboleve të Serbisë, Kosovës, Norvegjisë dhe Sllovakisë, të cilat më 23 mars në Kragujevc të Serbisë do ta nisin turneun kualifikues për Kampionatin Botëror me ekipet U-20 të femrave.
EHF ka vendosur që shtetet pjesëmarrëse të këtij turneu të paraqiten pa simbole shtetërore shkaku i rrethanave politike në mes Kosovës dhe Serbisë. Federata e Hendbollit e Kosovës insistonte për pjesëmarrje me simbolet shtetërore, ndërsa pas këtij vendimi ky institucion i Prishtinës nuk e di nëse do ta pranojë apo jo vendimin e EHF-së. raporton “Zëri”.
Në FHK kanë thënë se shumë shpejt do ta marrin një vendim final, i cili me shumë gjasë do të jetë në respektim të vendimit të EHF-së për shkak se ky vendim do të jetë i njëjtë për të gjitha ekipet pjesëmarrëse përfshirë edhe Serbinë.
Kësaj të fundit nuk i ka pëlqyer vendimi i EHF-së që shkaku i Kosovës të heq dorë nga simbolet e veta shtetërore. Në rast të mos respektimit të vendimit ekipet refuzuese mund të dënohen me nga 30 mijë euro dhe me nga 2 vjet mospjesëmarrje në gara të tilla.