Producenti dhe kantautori, Finneas O’Connell, ka thënë se motra e tij, ylli i njohur i muzikës Billie Eilish, mezi pret të performojë përsëri për fansat e saj.
Vëllai O’Connell ka thënë se Eilish ndihet si në shtëpi, kur përpara vetes ka fansat e saj.
“Turneu dhe sidomos koncertet para fansave janë më të mirat për të, sepse ndihet e lidhur me njerëzit në audiencë. Aty e gjen veten dhe ndihet si në shtëpi. Ishte e vështirë që këto ndjenja të veçanta iu morën artistëve, sidomos asaj”, ka thënë O’Connell.
“Kemi bërë koncerte online që prej muajit tetor, por nuk kishte turmë përpara. Mirëpo nëse e pyesni atë, ajo është duke i numëruar minutat deri në performancën e saj para fansave”, ka thënë vëllai i Eilish.
Vëlla e motër fituan çmimet Grammy për “Incizimin më të mirë të vitit” për “Everything I Wanted” dhe “Këngën më të mirë të shkruar për media vizuale” për këngën që u bë kolonë zanore e filmit me agjentin 007, James Bond, “No Time to Die”.
Anëtarët e bendit “Black Pumas”, Adrian Quesada dhe Eric Burton janë duke hulumtuar për format e ardhshme të koncerteve, sidomos në qytetin e tyre Austin, që e ka të obligueshëm mbajtjen e maskave.
“Jemi duke shikuar për alternativa të koncerteve live, mirëpo po e kryejmë detyrën tonë për të mbrojtur veten dhe të tjerët”, ka thënë Burton. “Tani kur ka nisur vaksinimi, gjërat po ecin me shpejtësi. Por, do të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Quesada.
Ndërkaq ylli i muzikës country, Brandy Clark, ka thënë se është optimiste për vitin përpara.
“Po planifikoj koncert për fundverë ose në fillim të vjeshtës. Nuk e di krejt planet, por shpresoj se deri atëherë do të ketë siguri të mjaftueshme”, ka thënë ajo.