Ekipi i boksierëve të Kosovës nuk është lejuar për herë të tretë të hyjë në Serbi.
Latif Demolli, sekretar gjeneral i FBOXK-së, tha se kanë pritur për dy orë rresht dhe prapë nuk u lejuan që të kalojnë.
“Kjo është hera e tretë që shkojmë në kufi për të shkuar në Kampionatin Botëror i cili fillon sot. Pasi shkuam në Merdar, aty qëndruam dy orë, kaluam procedura e policisë dhe kontrolluan bagazhin, prapë na panë me uniforma të Kosovës, na e fotografuan uniformën dhe ne menduam
se do të na lejojnë të shkojmë, por prapë erdhi policia dhe na tha se ju vjen keq por nuk mund të na lejojnë të hyjmë” tha Demolli.
Sipas Demollit kjo është një e padrejtë që po u bëhet atyre, pasi në sport të gjitha shtetet janë të barabarta.
“Shumë e padrejtë sepse ne jemi sportistë. Ky është organizim i AIBA-së, i Federatës Botërore. Serbia mund të mos lejojë që në shtet të saj të merrni pjesë kurse në Kampionatin Botëror ne jemi të barabartë më të gjitha shtetet dhe ne kemi kërkuar që të ngritet flamuri i Kosovës, himni i
Kosovës, ceremonia të bëhet me flamur tonin por edhe të paraqitën boksierët me logo të shtetit, përndryshe ne nuk do të merrnim pjesë”
Zëdhënësi i Komitetit Olimpik të Kosovës, Kushtrim Krasniqi, tha se kjo ndalesë është e papranueshme, pasi politika nuk duhet të përzihet në sport, raporton Ekonomia Online.
“Sigurisht se kjo është një gjë e papranueshme sepse politika nuk duhet të përzihet në sport, kjo nuk ka të bëjë asgjë me sportin, është kryekëput politikë e Qeverisë së Serbisë. Komiteti Olimpik i Kosovës, kryesisht drejtuesit e saj, presidenti Ismet Krasniqi dhe Sekretari i Përgjithshëm Besim Aliti janë në kontakt të vazhdueshëm me drejtues të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar si dhe me Federatën Ndërkombëtare te Boksit, AIBA-n për të marrë masat më të rënda për për shtetin e Serbisë dhe vetë organizatorin e këtij botërori”.
Në lidhje me këtë, mbrëmë ka reaguar edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, e cila dërgoi një ankesë te ministria e Serbisë.