Pavarësisht tentimeve të koalicionit qeverisës dhe të Partisë Socialdemokrate që ta miratojnë një rezolutë dhe një ekip negociator për dialogun me Serbinë nuk pritet të ketë një konsensus të gjerë nacional. Madje edhe po që se projektrezoluta e PSD-së votohet në Kuvendin e Kosovës gjasat janë minimale që të ketë zgjidhje rreth procesit të negociatave Kosovë – Serbi, shkruan sot Gazeta Zëri.
Sipas projektrezolutës në fjalë, pushteti dhe opozita duhet të jenë të barabarta në procesin e dialogut. PSD-ja me anë të kësaj rezolute ka propozuar që pjesë e ekipit negociator të jenë dy përfaqësues të opozitës, dy të partive në koalicion dhe një person nga shoqëria civile.
Nga koalicioni qeverisës pritet që në krye të delegacionit të jetë zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, kurse nga opozita është përmendur kryetari i PSD-së Shpend Ahmeti.
Ndërkaq si emër potencial për të qenë pjesë e ekipit negociator nga shoqëria civile është lakuar emri i publicistit Veton Surroi.
Pavarësisht këtyre, dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës e Lëvizja Vetëvendosje, nuk po e mbështesin këtë nismë të PSD-së.