Ekipi olimpik Kosovarë në Kore, publikohet orari i garave të Albin Tahirit

Prishtinë | 07 Shk 2018 | 11:28 | Nga

Ekipi olimpik i Kosovës tashmë ka mbërritur në PyeongChang të Koresë së Jugut për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të cilat do të mbahen nga 9 deri më 25 shkurt.

Albin Tahiri është skitari që do ta përfaqësojë Kosovën në garat më të rëndësishme ndërkombëtare.

28-vjeçari ka fituar normën olimpike në pesë disiplina të skijimit alpik dhe do të garojë në sllallom, sllallom të madh, super sllallom të madh, lëshim të shpejtë dhe kombinim alpik.

Komiteti Olimpik i Kosovës bën të ditur se garën e parë, Albin Tahiri do ta ketë më 11 shkurt në lëshim të shpejtë, derisa që nga 8 shkurti do t’i fillojë  përgatitjet zyrtare. Garat e lëshimit të shpejtë fillojnë në ora 3 të mëngjesit me kohën lokale të Kosovës, kurse në 11:00 me kohën në Korenë e Jugut.

Lëshimi i shpejtë mbahet në qendrën alpike në Jeongseon, e cila ndodhet rreth 40 kilometra larg qytetit të PyeongChangut.

Garën e dytë, Albini do ta ketë më 13 shkurt në kombinim alpik. Gara fillon në ora 3:30 me kohën e Kosovës.

Dy ditë më vonë, më 15 shkurt Albin Tahiri do ta sfidojë veten në një ditë të veçantë për të. Ai do të garojë në super sllallom të madh në ditën kur do të mbush 29 vjet. Edhe kjo garë fillon nga ora 03:00 me kohën tonë lokale.

Gara e ardhshme e tij është ajo e sllallomit të madh që mbahet  më 18 shkurt, dhe e cila fillon nga ora 2:15.

Sfida e fundit në të cilën do të marrë pjesë Albin Tahiri në gara të LOD PyeongChang 2018 do të jetë më 22 shkurt, kur do të garojë në sllallom, duke filluar nga ora 2:15, thuhet në komunikatën e Komitetit Olimpik të Kosovës.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme