Lluka: Baza e inovacionit është rinia, për një vit furnizuam 72 shkolla me qendra inovative

Prishtinë | 20 Nën 2019 | 11:29 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka marrë pjesë në panel diskutimi me ekspertë dhe palë të interesuara, të organizuar nga Kolegji UBT dhe Ambasada e Finlandës në Kosovë me temën “Drejt ekosistemeve të vogla inovative në Kosovë”, raporton EkonomiaOnline.

Ministri Lluka para të pranishmëve shpalosi një pjesë të punës së tij që ndërlidhet me ekosistemet dhe inovacionet.

Ai tha se në këto fusha janë investuar dhjetëra miliona euro.

“Unë mendoj se një ndër potencialet që kemi si Kosovë është parku inovativ apo i teknologjisë në Prizren, pra ish-kampi i KFOR-it gjerman. Ai kamp është jashtëzakonisht i madhe dhe me menaxhim së bashku me GIZ-in ne vetëm e kemi krijuar qendrën për ekselencë digjitale dhe është investuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ku vetëm këtë vit kemi ndarë 800 mijë euro e qëllimi i saj është ta krijojmë një qendër të ideve në mënyrë që ato të kthehen në ide të bizneseve. Si pjesë e kësaj do të krijohet edhe një Komitet për Inovacion që do përbehet nga gjithë kryetarët e odave nga gjithë rajoni dhe ky komitet do ta luajë rolin kryesor për përcaktimin e strategjisë së këtij parku teknologjik dhe të inovacionit”, tha ai.

Ministri Lluka tha se baza e inovacionit fillon te rinia dhe për këtë arsye janë përqendruar në qendra inovative nëpër shkolla në nivel vendi.

“Gjithashtu me rëndësi është se baza e inovacionit fillon te rinia, pra aty jepet kahja dhe drejtimi i shtetit për zhvillim të shtetit për inovacion. Ne vitin e kaluar kemi furnizuar 72 shkolla të mesme me qendra inovative, pra me gjitha pajisjet që atyre u nevojiten për të krijuar ide të ndryshme. Këtë vit për herë të parë po testojmë edhe në 20 shkollat fillore në mënyrë që të shohim edhe tek të vegjlit sesi do të ketë ndikim përcaktimi i tyre për të ardhmen”, tha Lluka.

Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se konferenca të tilla janë të nevojshme në Kosovë.

Ai tha se rritja e konkurrencës i ka shtyre kompanitë të jenë më inovative.

“Kur jemi të faktorët rritja e konkurrencës i ka shtyre kompanitë të jenë më inovative, merreni shembull telefonitë që më herët ka qenë vetëm një telefon në shtëpi dhe kjo është diversiteti dhe konkurrenca e tregjeve. E dyta që ka ndikuar është rritja e faktorit dije që sot më shumë e më shumë kërkohet kreativitet dhe po dua që edhe në qeveri të jetë më prezentë kreativiteti. Ne ende kemi disa sfida që me mbërri te ekosistemi i qëndrueshëm. Ne i shohim një potencial të rritjes për eksport të shërbimeve, aty ku kemi bilanc pozitiv dhe nuk kemi më ankesa import. Normalisht kompanitë kërkojnë që qeveria të ketë më primarë këto kompani”, tha ai.

Rukiqi përmendi disa vështirësi me të cilat po bafaqohen bizneset kosovare, duke përmendur rastet e stërzgjatura në gjykata.

“Shumë produkte vijnë pa asnjë kontroll as një standard dhe pa asnjë rishikim gjatë procedurave të importit dhe kjo ndikon në një treg jo të drejtë jo real. Kemi edhe sundimin e ligjit ku shumë kompani humbin pasi duhet të presin 7 vjet për një rast dhe kjo për prokurorin është në rregull se ka hap shumë raste, ndërsa për kompanitë pritja deri në 7 vjet është falimentim. Ai në letër ekziston por në realitet ai ka humbur tregun dhe dështon”, ka thënë Rukiqi.

Të ngjashme