Ekonomia britanike ka regjistruar tremujorin me performancën më të mirë në 2 vite gjatë tremujorit të tretë, megjithatë, humbja e vrullit gjatë muajit gusht tregon për një ngadalësim në muajt e ardhshëm.
Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 0.6% nga tremujori i dytë, që është norma më e lartë që prej fundit të 2016-ës, sipas zyrës Kombëtare të Statistikave në Londër.
Përshpejtimi nga 0.4% rritje që u regjistrua në tremujorin e dytë, u nxit kryesisht nga shpenzimet e forta konsumatore, duke treguar se vala e të nxehtit dhe kampionati botëror në fillim të periudhës, kanë dhënë ndikim.
Tregtia neto dha gjithashtu një kontribut të rëndësishëm. Banka e Anglisë ka bërë të ditur se ekonomia ndodhet në kapacitet të plotë dhe politikëbërësit pritet të rrisin normën bazë të interesit gradualisht për të mbajtur inflacionin nën kontroll.
Megjithatë, ekonomia performoi dobët në muajin gusht dhe shtator, prej tkurrjes së industrisë së shërbimeve dhe ngadalësimit të shitjeve me pakicë. Paundi mbeti thuajse i pandryshuar pas publikimit të të dhënave, në 1.3017 kundër dollarit amerikan.
Pasiguria nga Brexit ka bërë që kompanitë të vonojnë planet e tyre të shpenzimeve, ndërkohë që investimet e bizneseve ranë për të 3-tin tremujor radhazi.
Kryeministrja Theresa May po përpiqet të bashkojë kabinetin e saj për një marrëveshje të Brexit, megjithatë, çështja kryesore që është kufiri me Irlandën e Veriut, mbetet ende e pazgjidhur. Ekonomia britanike ka rënë në fund të listët në vendet e grupit të 7, që prej referendumit të Qershorit 2016.