Prodhimi i Brendshëm Bruto në tremujorin e tretë të vitit 2019 krahasuar me tremujorin e vitit 2018 ka shënuar rritje reale për 4.38 për qind. Kështu thuhet në raportin “Prodhimi i Brendshëm Bruto, tremujori i tretë 2019”, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Sipas raporteve të institucioneve financiare, rritja ekonomike e Kosovës për vitin 2020 pritet të jetë 4.2 për qind.
ASK në raport thotë se rritje më të madhe shënuan aktivitet financiare, kurse aktivitetet e bujqësisë shënuan rënie.
“Aktivitetet financiare dhe të sigurimit u rriten me 11.78 për qind, industria nxjerrëse, përpunuese, energjia elektrike, furnizimi me ujë me 7.90 për qind, aktivitetet profesionale dhe administrative me 7.03 për qind, tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor me 5.13 për qind, ndërtimi me 3.46 për qind, administrimi publik, arsimi dhe shëndetësia me 1.02 për qind. Ndërsa aktivitetet ekonomike që shënuan rënie në këtë tremujor janë argëtimi dhe çlodhja, aktivitetet e tjera të shërbimit me 18.72 për qind, bujqësia, pyjet dhe peshkimi me 2.87 për qind”, thuhet në raportin e BQK-së, përcjell Telegrafi.
Për sa i përket qasjes së shpenzimeve ka pasur rritje në shpenzimet e konsumit final të qeverisë.
“Shpenzimet e konsumit final të qeverisë u rriten me 10.54 për qind, eksporti i mallrave dhe shërbimeve me 9.33 për qind, importi i mallrave dhe shërbimeve me 6.67 për qind, formimi i bruto kapitalit me 3.52 për qind, shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake me 2.40 për qind”, vijon raporti.
Banka Qendrore e Kosovës në raportin “Vlerësimi Tremujor i Zhvillimeve Makroekonomike, tremujori i tretë 2019”, thotë se investimet shënuan kontributin kryesor në rritjen ekonomike me 2.3 pikë përqindje pasuar nga konsumi me 1.2 pikë përqindje dhe eksportet neto me 0.7 pikë përqindje.
“Gjatë gjysmës së parë të vitit 2019, kreditë e reja konsumuese kanë shënuar rënie prej 9.8 për qind duke ndikuar kështu në ngadalësimin e rritjes së konsumit. Përveç rënies së kredive konsumuese edhe burimet tjera të financimit të konsumit si remitencat, kompensimi i punëtorëve dhe shpenzimet për paga në sektorin publik u karakterizuan me ngadalësim të rritjes. Në të njëjtën periudhë, IHD-të të cilat shënuan rritje prej 19.3 për qind ndikuan në rritjen e investimeve. Në anën tjetër, ngadalësimi i rritjes së kërkesës së brendshme ka ndikuar në ngadalësimin e rritjes së importit ndërkohë që eksporti ka shënuar rritje të përshpejtuar. Kjo ka bërë që eksportet neto të shënojnë deficit më të ulët tregtarë prej rreth 1 për qind krahasuar me periudhën e njëjtët të vitit 2018”, thuhet në raport, përcjell Telegrafi.
Guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti në një konferencë për media kishte konfirmuar se rrija ekonomike e Kosovës deri në fund të vitit 2019 ishte 4.2 për qind, ndërsa inflacioni ka arritur në 2.8 për qind.
“Rritja ekonomike në vend vlerësohet të jetë 4.2 për qind, e mbështetur kryesisht nga investimet dhe eksportet neto. Sipas vlerësimeve edhe për vitin e ardhshëm rritja do të jetë e njëjtë. Nga të dhënat e inflacionit që i kemi deri në fund të muajit nëntor, shënon 2.8 për qind që është dukshëm më i lartë që ka qenë një vit më herët, realisht ka shënuar rritje 0.9 për qind. Kjo rritje e inflacionit është si rezultat i rritjes së çmimeve të ushqimit”, kishte thënë Mehmeti.
Për sa i përket projeksioneve të rritjes ekonomike, Banka Botërore në raportin për Prospektet Ekonomike, ka paralajmëruar se rritja ekonomike e Kosovës për sivjet pritet të jetë 4.2 për qind.
“Në Ballkanin Perëndimor pati një ngadalësim në investimet publike në Kosovë, të prodhimit në Serbi, dhe rritje e eksportit në Shqipëri dhe Serbia që kontribuoi në një moderim në rritje përafërsisht 3.2 për qind në vitin 2019. Në Kosovë rritja për këtë vit pritet të jetë 4.2 për qind”, thuhet në raport, përcjell Telegrafi.
Me gjithë përmirësimin e lehtë të paraparë për këtë vit, Banka Botërore thotë se 2020-ta mbetet e cenueshme ndaj pasigurive rreth tregtisë dhe tensioneve gjeopolitike.