Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit në Universitetin Europian të Tiranës, Elvin Meka komenton masat e marra deri më tani dhe planin financiar që qeveria shqiptare është duke vepruar për situatën e pazakontë që ka ardhur si shkak i pandemisë COVID-19, dhe i argumenton si masa të duhura deri më tani.
Pandemia e shkaktuar nga virusi Covid-19, duket se veç njerëzve ka izoluar edhe ekonominë. Duket se përveçse shitjeve me pakicë të artikujve ushqimorë dhe farmacive, ekonomia ka ndalur vrapin. Sa përllogariten deri më tani humbjet në industrinë e udhëtimeve, të turizmit dhe të shërbimeve?
Cilat do të jenë pasojat reale të kësaj emergjence shëndetësore në ekonominë shqiptare?
Në fakt është shumë e vështirë të llogaritet një faturë specifike sa do të jetë dëmi ekonomik, jo vetëm në këto industri që përmenden më sipër, por thuajse në t gjithë sektorët e ekonomisë. Është më se e qartë që këto industri, sidomos industria e fluturimeve ajrore është thuajse në prag të kolapsit të pakthyeshëm. Teknikisht në SHBA po elaborohen paketa shpëtimi dhe ndërhyrje, veçanërisht në këto sektorë.
Për sa i përket ekonomisë së Shqipërisë, që mbështetet masivisht në shërbime dhe që turizmi po shndërrohej në një “kalë beteje” ku po mbështetej rritja ekonomike, kjo emeregjencë shëndetësore do të vendosë në një trysni të jashtëzakonshme sektorin e turizmit, madje në nivel ekzistence. Ndërhyrja në këtë sektor është më komplekse se në sektorët e tjerë, pasi varet shumë nga faktorë psikologjikë dhe kufizime objektive që dalin përtej Shqipërisë. Fatkeqësisht mendoj se ky sezon veror është i komprometuar rëndë, të paktën duke u nisur nga projeksionet aktuale për shtrirjen kohore të pandemisë, në rang global.
Por tabloja nuk është thjesht lokale. Ekonomia e botës së zhvilluar është ndalur gjithashtu, të paktën në disa sektorë. A pritet që kjo pandemi të ridimensionojë tregjet globale apo t’u japë hov sektorëve të rinj, duke shënuar fundin për të tjerë? Sa përllogaritet të jenë humbjet nga kjo krizë? A janë të përgatitura edhe ekonomitë më të fuqishme –ndërsa pandemia ka prekur të gjithë vendet e G7 – për humbje të tilla? A jemi në prag të një recensioni botëror?
Natyrisht që ekonomia moderne globale nuk është përballur kurrë me një situatë të tillë, të paktën në kushtet e ekzistencës së një niveli të tillë globalizimi si ky i sotmi. Pashmangshmërisht që disa sektorë do të duhet të ridimensionohen dhe riformatohen, në konceptin e ndërtimit të një strukture të tillë biznesi që do të jetë e aftë të përballojë të tilla “disruptions” (shpërthime shkatërruese) në mjedisin global (turizmi, industria e argëtimit, udhëtimeve, sigurimeve, etj.). Nga ana tjetër, këtu nuk bëhet fjalë për sektorë të veçantë por për një ekonomi të tërë globale, e cila do të duhet që paradoksalisht të ribëjë dhe rishkruajë edhe njëherë rregullat e funksionimit të saj, duke marrë masa mbrojtëse segmentuese dhe fragmentuese, në kohën e revolucionit të Katërt Industrial. Patjetër që në gjithë këtë situatë shqetësuese disa sektorë janë “të dënuar” të pasurohen dhe ultra pasurohen, si: industria farmaceutike dhe ajo elektro-mjekësore, kujdesi shëndetësor, nano dhe bio-teknologjia, industria kimike dhe e kujdesit personal, etj.
Gjithsesi, ajo që mund të thuhet është se, bota nuk do të jetë kurrë më kjo që ne kemi njohur dhe jetuar deri më sot. Nga disa përllogaritje fillestare nga UNCTAD-i, humbjet deri në fund të 2020-ës mund të jenë minimalisht në 2 trilionë dollarë. Gjithsesi, kjo është një shifër që lidhet më shumë se rritjen e munguar ekonomike sesa me humbjet ekonomike, të cilat fatkeqësisht do të jenë edhe më të mëdha. Për sa i përket përgatitjes për ta parandaluar këtë goditje, mund të thuhet me plot gojën që e gjithë bota u kap gafil nga një situatë e tillë; të gjithë shtetet ishin pa përjashtim të barabartë në mungesën e plotë të vigjilencës dhe marrjes së masave parandaluese nga ngjarje të tilla. Në fakt, ngjarje të tilla, në një kuadër kaq të madh ndërlidhje dhe globalizimi, është thuajse e pamundur të marrësh masa efikase individuale, kur asnjë ekonomi nuk mund të ecë dhe zhvillohet e pavarur nga pjesa tjetër e botës. Tashmë mendoj se nuk ka vend për të diskutuar dhe hamendësuar a do kemi recesion, por sa i thellë do jetë ai dhe sa të energjike do jenë masat për minimizimin e tij. Për më tepër që mendohet se, sipas ILO-s, se gjatë 2020-ës do të humbasin rreth 50 milionë vende pune në gjithë botën, një shifër kjo tepër e lartë.
Megjithëse industria e prodhimit duket se vijon të funksionojë, por sa fitimprurëse mund të rezultojë ajo kur edhe fuqia blerëse ka ngrirë, e izoluar brenda shtëpive?
Sektori prodhues dhe sidomos bujqësia do të vijojnë të mbeten sektorë vitalë, e madje roli i tyre në situata të tilla vjen dhe përforcohet; gjithsesi ecuria e tyre do të varet drejtpërdrejt nga niveli dhe thellësia e masave që do të merren në vijim nga qeveritë e gjithë vendeve, për të ndihmuar dhe mbështetur konsumatorin final. Tashmë është e qartë se, një pikë e rëndësishme për të ndihmuar ekonominë dhe nxitur konsumin është pikërisht zbritja e masave dhe stimulit në nivelin e portofolit të konsumatorit final, duke e ndihmuar drejtpërdrejt atë në financat personale.
Sa mund të përballohet kjo krizë nga rezervat e shtetit?
Në fakt thuajse asnjë shtet nuk ka ndonjë rezervë specifike për ngjarje të tilla; kuptohet për rezerva dhe mundësi financiare dhe jo për rezerva strategjike mallrash, apo produktesh specifike. Qeveritë mund t’u vijnë në ndihmë përkohësisht shtresave më në nevojë me ndihma ushqimore, por për një kohë shumë të shkurtër, ndërkohë që kjo është vetëm një pjesë e problemit. Problemi madhor është kërkesa agregate.
Ndërsa çmimi i naftës ka rënë, po investohet në ar. Çfarë impakti ka koronavirusi në tregjet e bursave?
Sigurisht që në këto kushte do të ketë rënie të çmimeve të disa mallrave, por edhe rritje për disa të tjera dhe mallrat energjetikë janë të parët që reagojnë negativisht ndaj recesionit për shkak të uljes thelbësore të kërkesës për to. Patjetër që një alternativë për të ruajtur vlerën e parave dhe investimeve është pikërisht investimi në Ar, por të dhënat e ditëve të fundit po tregojnë një rënie të shpejtë të çmimit të Arit me rreth 15% nga piku prej rreth 1,700 USD për ounc, e kjo është më se e kuptueshme. Tashmë nuk jemi në një krizë financiare, si ajo e 2008-2009, por jemi pikësëpari në një krizë shëndetësore dhe mbijetese, e më pas në një krizë ekonomike. Kjo bën dallimin e madh me krizat e mëparshme, ku kemi një zhvendosje prioritetesh nga shpëtimi i bankave dhe industrisë financiare në shpëtimin e jetës së njerëzve.
Për sa i përket ndikimit në ecurinë bursave, mund të sillet një fakt i thjeshtë: dy ditë më parë të gjithë përfitimet e siguruara nga investimi në indeksin Dow Jones, që nga koha kur z.Trump u betua si President i SHBA-ve u zeruan plotësisht (pra nga ana e vlerës së tregut të invesitimit jemi aty ku ishim 3 vjet më parë). Ky është vetëm njëri indeks, por panorama është një “kasaphane” e vërtetë, ku të gjitha bursat kanë pësuar rënie domethënëse të vlerave dhe çmimeve të aksioneve, dhe kjo është më se e pritshme dhe e shpjegueshme.
A është humbje parash apo akumulim për t’u transferuar në të tjerë sektorë, në të ardhmen?
Humbjet janë masive, por kjo është e kuptueshme sepse disa sektorë do jenë përfundimisht humbës neto nga kjo situatë, sikundër disa të tjerë do jenë përfitues të mëdhenj. Siç e përmenda dhe pak më lart, disa sektorë të ekonomisë do zgjerohen dhe rriten fort, ndërkohë që të tjerë do jenë në kufijtë e mbijetesës, e madje edhe mund të falimentojnë. Çdo krizë ka viktimat dhe heronjtë e saj.
A po shkojmë nga një ekonomi globale, edhe njëherë drejt ekonomive lokale? Po tregu i përbashkët europian a do të dëmtohet apo mund edhe të shkojë drejt shkrirjes? Sa janë gjasat për këtë? Që tani ka zëra kritikë në Itali që shprehen se BE e la vetëm Italinë më këtë krizë, tashmë jo vetëm shëndetësore.
Kjo pandemi dhe krizë shëndetësore nxori edhe një herë në pah që, në botë ka vetëm interesa dhe pak ose aspak aleatë. Gjithashtu kjo pandemi shpërfaqi qartësisht që ende është i fortë koncepti i shtetit-komb dhe se sjellja e shteteve dhe qeverive kombëtare, në rast krizash të tilla, do të mbetet thuajse plotësisht brenda kufijve kombëtarë. Thënë kjo, panorama duket se do të jetë tepër e zymtë për globalizimin që njohim sot, e kjo për faktin e thjeshtë se, kina, ose “fabrika e botës” i ka sjellë një dëm të jashtëzakonshëm thuajse çdo zinxhiri vlere për thuajse çdo produkt sot.
Konkretisht, ndërprerja e prodhimit në Kinë ka sjellë probleme globale për thuajse çdo ekonomi, që ka marrëdhënie të drejtpërdrejta ose jo me Kinën, pasi sot thuajse çdo gjë prodhohet në Kinë dhe këputja, apo ndërprerja e përkohshme e zinxhirëve të vlerës dhe furnizimeve nga kina nxjerr jashtë funksioni edhe zinxhirët e tjerë të ndërlidhur me të anembanë botës. Mjaft kompani të mëdha njoftuan probleme me furnizimet dhe lëndëte para, si pasojë e epidemisë në Kinë dhe ndërprerjes së proceseve të prodhimit aty.
Patjetër që një precedent i tillë do të kushtëzojë të gjithë kompanitë shumëkombëshe që të fillojnë të mendojnë zhvendosjen pjesore ose të plotë të kapaciteteve të tyre të prodhimit nga Kina, ose drejt vendeve të tjera me krahë të lirë pune, ose dhret vendev etë tyre të origjinës, duke e segmentuar dhe fragmentuar kështu tregun global. Kjo pandemi do e zhbëjë këtë format globalizimi, të paktën në drejtim të industrive prodhuese, ndërkohë që ato të shërbimeve dhe teknologjisë nuk besoj se do preken nga një riformatim i tillë.
Lidhur me tregun evropian dhe Bashkimin Evropian mund të thuhet pa hezitim se ndodhet në pikën e tij më kritike të ekzistencës deh gjasat janë që, pas kapërcimit të pandemisë, të fillojnë lëvizjet “rebeluese”, ku protagonistja kryesore mund të jetë me plot të drejtë Italia. Kjo e fundit ka gjithë argumentet e mundshme dhe të justifikueshme, për të kërkuar një dalje solemne jo vetëm nga Bashkimi Evropian, por dhe nga EURO, pasi BE jo vetëm që dështoi vajtueshëm në aktivizimin e mekanizmave të mbështetjes solidare të ndihmës ndaj Italisë, por aderimi ne EURO Italisë jo vetëm nuk i ka sjell thuajse asnjë përfitim dhe avantazh, por përkundrazi e ka tkurrur ekonominë e saj (në terma realë) me më shumë se 4,6% nga ajo e vitit 2002. Nga pikëpamja e logjikës ekonomike, por dhe asaj morale, Italia nuk e gjen më veten në BE dhe në Euro; të paktën në këtë format aktual funksionimi të gjerave të këtij organizmi dhe kësaj monedhe!
A i ngjan kjo situatë e shkaktuar nga një emergjencë shëndetësore krizës financiare të 2008-s apo pasojat mund të jenë edhe më të rënda?
Situata e shkaktuar nga pandemia e COVOD-19 patjetër që ka pika të përbashkëta dhe të ngjashme me krizën financiare dhe ekonomike globale të 2008-ës, por duhet thënë se në këtë rast është shumë më komplekse dhe masat shëruese, jo vetëm ato shëndetësore, por kryesisht ato ekonomike do jenë shumë më të dhimbshme, më komplekse dhe më shumë burim-konsumuese.
Në një ekonomi si e jona e mbështetur kryesisht tek sektori i shërbimeve dhe disi turizmi, sa dëme do të sjellë paralizimi i saj për shkak të pandemisë?
Ekonomia e Shqipërisë pritet që të preket rëndësishëm nga kjo pandemi, për vetë strukturën ekonomikë që ka vendi, mbështetur kryesisht në shërbime, turizëm dhe dërgesat e emigrantëve. Sa më gjatë të vijojë izolimi dhe bllokimi i jetës së përditshme, aq më i thellë do të jetë ndikimi negativ në të, çka do të rrisë faturën e dëmit dhe humbjeve ekonomike dhe duke cenuar mirëqenien aktuale të popullatës. Kjo strukturë ekonomike, që nuk mbështetet fort në prodhim bujqësor dhe industrial do ta ekspozojë gjithnjë ekonominë ndaj goditjeve të tilla, apo situatave të jashtëzakonshme.
Duke pasur parasysh edhe krizën e strehimit, shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit…a do të mund t’i përballojë qeveria shqiptare dy kriza të njëpasnjëshme?
Për fat të keq kjo do të ishte një sfidë thuajse e pamundur edhe për shtete dhe ekonomie shumë më të zhvilluara dhe të shëndosha se sa Shqipëria, jo më për vendin tonë. Sigurisht që sforcimi me këtë rast do të jetë shumë i madh, si për publikun por edhe për vet qeverinë, që do të duhen të përballojnë tashmë dy frone sfidash. Në këto kushte del si imperativ mirëadminstrimi i çdo burimi dhe të ardhure të vlefshme dhe ekonomizimi i gjithshkaje, për një periudhë relativisht të gjatë kohe, në vijim. Nga ana tjetër, nuk duhet të shpresojmë dhe mbështetemi vetëm te ndihma dhe mbështetja e huaj, por duhet të mendojmë dhe energjizojmë të gjitha burimet tona të brendshme, të cilat mund të jenë edhe më efikase në këtë drejtim se sa ndihma e huaj. Qeveria duhet të konsiderojë çdo mënyrë dhe instrument të vlefshëm që lehtëson dhe i jep zgjidhje afatgjata këtyre çështjeve dhe situatave.
A është emetimi i kartëmonedha të reja një masë për krizën? A nuk do të çonte në inflacion? Çfarë masash po merr BE, duket se edhe Gjermania do të shtypë 550 miliardë dollarë, pas Italisë. Çfarë do të thotë kjo për një monedhë të përbashkët? A ka koordinim të vendeve anëtare për këtë masë apo vendim të Bankës Qendrore Europiane?
Qeveritë apo institucionet e ndryshme ndërkombëtare nuk është se po marrin masa të koordinuara për këtë qëllim, por çdo qeveri po mundohet të përdorë mundësitë dhe kapacitete e saj, për përballimin e këtyre sfidave shumëplanëshe. Emetim monedhe të re patjetër që do të ketë, pasi paratë nga diku do dalin, por ajo që është më e rëndësishme nuk është niveli i inflacionit, por kapërcimi me çdo kusht e me kosto sa të ulëta njerëzore dhe ekonomike të këtyre situatave të krizës. Emetimi i më shumë EURO-ve nuk është se do të përbëjë faktorin kryesor për një zhvlerësim të mundshëm të saj, në raport me Dollarin, por janë të tjerë faktorë ato që do ndikojnë në një zhvlerësim të tillë, si: situata e rëndë shëndetësore në Europë, vështieeësia e koordinimit të masave midis vet vendeve të Bashkimit Europian, sinjalet e gabuara (në kufijt e gafës profesionale) të lëshuara fillimisht nga Zj. Lagarde, por që më pas u korrektuan me shpalljen e masave të reja të ndërhyrjes (pasi u bë dëmi mbi 550 miliardë dollarësh në bursa), gjendja anemike e vet ekonomive tee BE-se, etj.
Po në Shqipëri do të ndihmonte emetimi i kartëmonedhave të reja? A ka kapacitet Shqipëria të marr lehtësira si ato të Italisë, që nga pezullimi i faturave të energjisë elektrike apo ujit? Edhe pse kryeministri tha në një dalje të tij se energjia do të paguhet, pasi pagat do të merren.
Sigurisht që edhe në Shqipëri mund të konsiderohet një masë e tillë (monetizimi i borxhit), pasi jemi në situatë kritike, që patjetër kërkon dhe masa kritike. Ndërkohë, toleranca e Shqipërisë për të ofruar lehtësira të ngjashme me ato të Italisë dhe ekonomive të mëdha, nuk është kaq e madhe, por gjithnjë ka dritare mundësie, për të konsideruar ofrimin e disa lehtësive dhe mbështetjeve efikase për biznesin. Mendoj se, për vet gjendjen dhe situatën që kalojnë shoqëritë e shërbimeve publike në vend, mospagesa e tyre do të ndërlikonte edhe me shumë situatën financiare të tyre, duke rritur peshën e problemeve në ekonomi.
Tashmë ka një plan konkret masash nga qeveria shqiptare për të ndihmuar ekonominë. Kryeministri u shpreh se nuk do t’i shtyjë me një vit pagesat e kësteve të kredive, pasi kjo do të fuste në një situatë të vështirë bankat e nivelit të dytë. Çfarë tabloje mund të kishim, në një skenar të tillë me shtyrje të kësteve të kredive për 12 muaj? Po shtyrja me 3 muaj a ka një dobi reale?
Plani i masave mbështetëse për ekonominë janë një përpjekje për të përballuar, sipas mundësive aktuale të buxhetit, krizën shëndetësore dhe atë ekonomike, me të cilat jemi të detyruar të përballemi. Nga ajo çfarë është artikuluar në kuadër të këtyre masave, kuptohet që do të kemi vetëm një shtyrje (pra një tip grace period) të shlyerjes së huave, pra një riskedulim, nëse palët (bankat dhe kredimarrësit) bien dakord mes tyre. Nisur nga situata dhe gjendja financiare e vete sipërmarrjeve shqiptare dhe pasigurive të ekzistojnë, masat mund të konsideronin edhe një shtyrje en block të shlyrjes së kredive të biznesit me 3 muaj, për ato biznese që janë në vështirësi. Kjo masë do të lehtësonte sipërmarrjen, e cila edhe pas përfundimit të pandemisë do të përballet me shumë sfida në veprimtarinë e saj ekonomike, dhee ristrukturimi i huave, pa ndryshuar afatin e maturimit do të shtonte peshën respektive të principalit që duhet shlyer, duke e vendosur kështu atë përballë një tjetër sfide likuiditeti në të ardhmen.
Ata, të cilët kanë një kompani dhe s’kanë mundësi të paguajnë pagat, qeveria do t’u japë garanci financiare, por ashtu edhe sipërmarrjeve të vogla për të mos humbur pagën e tyre?
Parashikimi i garancisë financiare, që u lejon bizneseve të marrin hua për të paguar pagat e punonjësve të tyre është një masë lehtësuese, por gjykoj se përbën opsionin më të mirë me këtë rast. Duhet të kemi parasysh se, sipërmarrja tashmë është e angazhuar me kredi dhe marrje e kredive të reja pa kushte lehtësuese do të rëndonte edhe me tepër situatë ne tyre tashmë të rënduar financiare. Nga sa jemi në dijeni këto kredi nuk do jenë me interesa zero dhe pavarësisht nga mirëkuptimi që mund të tregojnë bankat ato përsëri do të jenë brenda kuadrit të koncepti të kredive tregtare. Sipërmarrja ka qenë e detyruar të mbyllë veprimtarinë e saj dhe, nisur edhe nga paketat e ndihmës së shteteve të tjera, qeveria mund të konsideronte mbulimin pjesor të pagave të sipërmarrjes për periudhën e bllokimit të veprimtarisë, me burime e saj./Gazeta Liberale