Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), në një mbledhje të mbajtur sot, e ka shkarkuar Ekrem Hajdari nga pozita e drejtorit menaxhues.
Drejtori i deritanishëm, Ekrem Hajdari, ka konfirmuar shkarkimin me shumicë të votave.
“Po, ka kalu edhe zyrtarisht ka kalu, sot e kanë votuar, i kanë bërë votat”, ka thënë Hajdari për Kallxo.com.
Ai ka thënë se nuk ka qenë i pranishëm në mbledhjen e Bordit ku edhe është vendosur për shkarkimin e tij.
“Jo nuk kam dashtë, kam refuzuar, nuk kam dashtë me shku se nuk e kam parë të arsyeshme me u ballafaqu me ta”, ka deklaruar Hajdari.
Ekrem Hajdari ka treguar se do të deponojë ankesë në lidhje me këtë vendim të Bordit të AKP-së.
Skender Komoni, drejtor në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), ka iniciuar shkarkimin e drejtorit menaxhues të AKP-së, Ekrem Hajdari, nismë kjo që është mbështetur edhe nga tre anëtarë të tjerë të Bordit: Avni Ajdini, Qemajl Behrami dhe Bekim Selimaj.
Mocioni për shkarkimin e Ekrem Hajdarit i është dërguar kryesuesit të Bordit të AKP-së, Petrit Gashi dhe është propozuar që të jetë në rend të ditës sot kur edhe është zhvilluar mbledhja e Bordit.
Shkarkimi i Hajdarit, sipas propozuesit të mocionit, është mbështetur me gjendjen në AKP, e cila sipas tyre karakterizohet me ngecje në zbatimin e politikave të Bordit të Drejtorëve lidhur me përfundimin me sukses të procesit të privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore.
Në mocionin e anëtarëve të Bordit të AKP-së janë radhitur shtatë arsye për të mbështetur shkarkimin e Ekrem Hajdarit.
Kurse Hajdari ka kthyer përgjigje të detajuar në secilin prej pretendimeve të anëtarëve të Bordit.