Me iniciativë të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, përmes platformave virtuale është realizuar punëtori dy ditore me ekspertë amerikanë të Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara lidhur me luftimin e krimeve zgjedhore.
Në këtë punëtori kanë marrë pjesë mbi tetëdhjetë e tetë (88) prokurorë të shtetit të Republikës së Kosovës, që do të jenë të angazhuar në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 për të trajtuar çfarëdo veprimi eventual që bie ndesh me ligjin penal.
Gjatë kësaj punëtorie, ekspertët amerikan dhe prokurorët e shtetit shkëmbyen përvojat e tyre lidhur me rolin e prokurorëve të shtetit për mbrojtjen e votës.
Gjithashtu, gjatë kësaj punëtorie janë diskutuar edhe parimet e përbashkëta lidhur me procesin e mbrojtjes së votës për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021.