Dy ekspertë amerikanë dalin me analizë për tërmetin në Shqipëri, tregojnë shkaqet e mundshme

Prishtinë | 27 Nën 2019 | 16:04 | Nga Ekonomia Online

Dhjetëra persona kanë vdekur dhe qindra të tjerë kanë mbetur të lënduar e pa strehë si pasojë e një tërmeti të fuqishëm prej 6.4 ballësh që ka goditur Shqipërinë në orët e para të mëngjesit të 26 nëntorit. Kjo lëkundje është shoqëruar edhe më një seri të vazhdueshme goditjesh më të vogla, të cilat janë ndier edhe në Kosovë.

Gjithë kjo tragjedi që ka prekur Shqipërinë ka nxitur ekspertë të sizmologjisë të analizojnë gjithë situatën dhe goditjet sizmike që e kanë përfshirë këtë vend.

Doktori amerikan i shkencave, Ross Stein, dhe magjistri i Shkencave, Volkan Sveilgen, e kanë publikuar një analizë të përbashkët në “Tamblor” rreth tërmetit fatal që e ka goditur Shqipërinë.

Në pjesën e parë të kësaj analize, dy shkencëtarët kanë treguar për numrin e viktimave dhe shkatërrimin që ka ndodhur si pasojë e tërmetit, megjithatë potencojnë se gjendja ka mundur të jetë edhe më e keqe.

Këtë e kanë thënë teksa kanë përmendur faktorët fizikë dhe pasojat që kishte lënë në Shkup në vitin 1963 një tërmet i cili ishte edhe më i vogël se ky që e ka goditur Shqipërinë.

Në korrikun e vitit 1963, tërmeti prej 6.1 ballësh që e kishte goditur Shkupin i kishte lënë të vdekur 1 mijë e 70 njerëz, të lënduar deri në 4 mijë, më shumë se 200 mijë pa kulm mbi kokë dhe e kishte shkatërruar rreth 80 për qind të qytetit.

Përveç tjerash, kanë folur edhe për goditjet më të dobëta të cilat kanë pasuar pas tërmetit 6.4 ballësh, duke thënë se ky lloj aktiviteti është i pazakontë dhe që nuk e bën më të lehtë parashikimin e tërmetit.

Ndërkohë e kanë bërë edhe një ndërlidhje mes tërmetit prej 6.4 ballësh, që epiqendrën e pati në afërsi të Tiranës, dhe atij që kishte ndodhur pranë qytetit të Mostarit në Bosnjë e Hercegovinë pas një periudhe kohore prej 6 orësh, me fuqi prej 5.4 ballësh.

Dy ekspertët thonë se kjo mbase mund të jetë e rastësishme, por nëse bëhet një lidhje, atëherë një gjë e tillë do të mund të jetë shkaktuar nga valët sizmike të tërmetit që e goditi Shqipërinë pasi ato shpërndahen me minuta të tërë.

Teksa kanë kaluar nëpër histori të tërmeteve, kanë thënë burimi i tërmetit që e ka goditur Shqipërinë është si pasojë e ngjeshjes tektonike të kores së Tokës, që shtrihet nga jugu i Kroacisë deri në Greqi, shkruan Express. Kjo ngjeshje e kores së Tokës, siç kanë theksuar ata, është e dukshme edhe në tkurrjen që është bërë  në sipërfaqen e Tokës pas matjeve me GPS dhe gjithashtu nga historia e tërmeteve të mëdha që kanë ndodhur në rajon. Sipas tyre, Ballkani Jugor është ka aktivitet më të lartë sizmik se Italia.

Në këtë analizë të tërmetit që e ka goditur Shqipërinë, dy ekspertët amerikanë gjithashtu e kanë krijuar një hartë, në të cilën tregojnë se si zonat në afërsi të bregdetit në Durrës, Thumanë e Lezhë janë zona toke të ngopura me ujë, të papërforcuara dhe të dobëta e të cilat gjenden përreth epiqendrës së tërmetit 6.4-ballësh.

Këto zona të dobëta tronditen katër herë më shumë se pjesët e tjera pasi që toka e tyre është shndërruar pothuajse në gjendje të lëngshme dhe që s’mban asgjë e që si pasojë, një gjendje e tillë e dheut, kur pëson tronditje, shkakton edhe shembje dhe fundosje të ndërtesave.

Në fund të analizës së tyre, dy ekspertët amerikanë thonë se gjeologët e sizmologët do të japin detaje dhe do të mësojnë më shumë ditëve në vazhdim rreth tërmetit, por ajo që potencojnë ata është se rreziku nga një tërmet i tillë nuk ka qenë i paparashikueshëm

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme