Ilir Meta ka kërkuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar verifikimin e dokumentacionit të dosjes penale ndaj tij, duke ngritur pikëpyetje mbi ndryshimin e numrit të fashikujve hetimorë dhe ligjshmërinë e administrimit të disa provave.
Meta vë në diskutim ligjshmërinë e provave të SPAK

Në një dokument prej 106 faqesh, të datës 12 nëntor, ish-presidenti, i përfaqësuar nga avokati Bujar Musta, ka përmbledhur kërkesat procedurale dhe kundërshtimet e paraqitura gjatë procesit gjyqësor.
Një prej pretendimeve kryesore lidhet me numrin e fashikujve të dosjes.
Sipas Metës, dokumentacioni i prokurorisë i datës 4 gusht 2025 tregonte se dosja përmbante 116 fashikuj hetimorë, ndërsa pas kalimit të çështjes në gjykimin e themelit rezultojnë 132 të tillë.
Për këtë arsye, ai kërkon që SPAK të argumentojë diferencën dhe që gjykata të verifikojë dokumentet e administruara, përfshirë numrin e faqeve dhe statusin e tyre si origjinale apo kopje.
Meta pretendon gjithashtu se në një prej fashikujve mungojnë disa faqe që, sipas tij, kanë rëndësi për ekspertimin financiar.
Një tjetër kundërshtim lidhet me provat e siguruara pas dërgimit të çështjes për gjykim.
Ish-presidenti kërkon të mos përdoren disa procesverbale dëshmitarësh të shtatorit 2025, si dhe dokumente të administruara në tetor të po atij viti, përfshirë materiale që lidhen me Departamentin amerikan të Drejtësisë.
Sipas argumentimit të tij, këto prova janë marrë pas përfundimit të afatit të hetimeve.
Në pjesën që lidhet me lobimin politik të LSI-së në Shtetet e Bashkuara, Meta kërkon sigurimin e dokumentacionit shtesë për marrëveshjen me kompaninë amerikane GSIS.
Kërkesat përfshijnë kontratat, ndryshimet e mundshme të tyre, faturat, transfertat bankare dhe autorizimet për shpenzimet.
Ai kërkon gjithashtu të sqarohet nëse biznesmeni Adrian Shatku ka kryer pagesa në emër të LSI-së dhe, nëse po, kush i ka autorizuar ato.
Për episodin ÇEZ–DIA, mbrojtja kërkon administrimin e dokumenteve dhe dëshmive të lidhura me arbitrazhin tregtar në Vjenë, duke kundërshtuar interpretimin e provave nga prokuroria.
Por dokumenti përmban edhe një pretendim që lidhet drejtpërdrejt me kushtet e mbrojtjes së Metës.
Ish-presidenti deklaron se takimet e tij me avokatin kanë vijuar të monitorohen edhe më 7 dhe 10 nëntor 2026.
Ai i kërkon gjykatës të urdhërojë heqjen e kamerave të vëzhgimit ose marrjen e masave të tjera që garantojnë konfidencialitetin e komunikimit me mbrojtësin.
Sipas Metës, kjo situatë cenon të drejtën për mbrojtje efektive dhe barazinë e palëve në proces.

















