Ekonomia Online
FUNDIT

Ekzekutohet 41-vjeçari shqiptar pranë Parlamentit Europian

Ekzekutohet 41-vjeçari shqiptar pranë Parlamentit Europian

Një shtetas shqiptar është ekzekutuar me armë zjarri në Bruksel të Belgjikës, në një atentat që dyshohet se lidhet me larje hesapesh në botën e drogës.

Viktima u qëllua për vdekje mbrëmjen e 12 tetorit, në zonën e Ixelles, pranë Parlamentit Europian. Sipas mediave belge, ndaj tij u qëlluan shtatë ose tetë plumba, ndërsa autorët u larguan menjëherë nga vendngjarja. Shqiptari humbi jetën në korridorin e një pallati, pavarësisht ndërhyrjes së shërbimeve të emergjencës.

Ngjarja ka marrë një tjetër zhvillim pas hetimeve për vrasjen e oficerit të policisë Nordine El Talbi, 41 vjeç, i cili u ekzekutua disa orë më vonë në zonën e Jette. Sipas gazetës belge “De Standaard”, hetuesit tashmë dyshojnë se të dyja vrasjet janë kryer nga të njëjtët persona.

Fillimisht, Prokuroria e Brukselit kishte deklaruar se nuk kishte prova për një lidhje mes dy ngjarjeve, por pamjet e kamerave të sigurisë kanë ndihmuar hetuesit të zbulojnë një pistë të re. Shqiptari nuk rezultonte me precedentë penalë në Belgjikë.

Megjithatë, burime të cituara nga mediat vendase dyshojnë se ekzekutimi lidhet me përplasjet në botën e drogës dhe mund të ketë qenë një vrasje me pagesë.

Pas atentatit në Ixelles, autorët dyshohet se kanë grabitur një automjet Volkswagen T-Cross në Tubize. Rreth mesnatës, ata u pikasën nga oficeri El Talbi dhe kolegët e tij në zonën e Jette. Kur polici iu afrua automjetit për kontroll, personat brenda hapën zjarr, duke e goditur për vdekje në kokë.

Sipas prokurorit të Brukselit, Julien Moinil, në automjet ndodheshin pesë persona. Pas vrasjes, ata braktisën tri pistoleta pranë makinës dhe u larguan në këmbë.

Në kuadër të hetimeve, katër të dyshuar u arrestuan jashtë Belgjikës: tre në Almeria të Spanjës dhe një në Paris. Njëri prej tyre është i mitur. Të katër janë ekstraduar në Belgjikë, ndërsa dy persona të tjerë ishin arrestuar fillimisht nga policia vendase. Hetimet vijojnë për të zbardhur motivet e atentatit ndaj shqiptarit dhe lidhjen e tij me vrasjen e oficerit belg.

Të ngjashme