Kriza energjetike qe ka mbërthyer Kosovën, ka bërë që Qeveria të ndërmarrë disa masa për ta ulur shpenzimin e rrymës.
Se fundmi, Komiteti Teknik i themeluar ditë më parë nga shteti, ka marrë vendim që të ndalohet prodhimi i kriptovalutave me qëllim të uljes së konsumit të energjisë elektrike.
Për të zbatuar këtë masë është angazhuar edhe policia, e cila pritet të ndërhyjë më rastet kur evidentohen ambientet ku prodhohet kriptovaluta.
Megjithatë, ky vendim po kundërshtohet nga ekspertët e kësaj fushe.
“Mendoj që vendimi është i shpejtë dhe i gabuar. Arsyeja është që nuk e kanë bërë një studim më të thellë, një analizë se sa prodhues të kriptovalutave dhe sa prodhohen kriptovalutat dhe çfarë po prekin në njëfarë mënyre”, shprehet Milot Mehmeti, ekspert i kriptovalutave, për Euronews Albania.
Sipas Mehmetit, një vendim i tillë ka prekur mijëra familje kosovare që kriptovalutat i kanë si burim të të ardhurave.
“Diku 40 mijë anëtarë kanë qenë në disa media sociale – shqiptarë- që marrin pjesë në prodhimin e kriptovalutave, dhe unë mendoj që i kanë prekë diku 20-30 mijë familje me të hyrat e tyre. Ka shumë të shoqërisë që i njoh që nuk kanë emigruar sepse e kanë gjetur vetën duke prodhuar kriptovaluta”, shprehet Mehmeti.
Ai tregon se pajisjet e gjeneratës së fundit për këtë proces nuk shpenzojnë shumë energji dhe se ka forma të tjera që të kursehet energjia, dhe jo te ndalet diçka që sjellë përfitime.