Njohësit e çështjeve ekonomike konsiderojnë se ndërmarrjet publike si në të kaluarën edhe tash nuk kanë pasur plan zhvillimor e se kanë qenë më shumë barrë e shtetit.
Sipas tyre, këto ndërmarrje mund të bëhet profitabile dhe fitimprurëse vetëm atëherë kur depolitizohen bordet e tyre, raporton Ekonomia Online.
Musa Limani, njohës i ekonomisë në një Intervistë për Ekonomia Online tha se në bordet drejtuese të ndërmarrjeve publike janë caktuar njerëz jo profesinal e si pasoj e kësaj ka ardhur deri tek mos efikasiteti i tyre.
“Ndërmarrjet publike kryejnë shërbime të veçanta për qytetarët për atë dhe kanë mbetur nën mbikëqyrjen e Qeverisë, përkatësisht me këto ndërmarrje menaxhon Qeveria. Në vete nënkupton se përcakton stafin udhëheqës, pra në krye të bordeve të këtyre ndërmarrjeve caktohet personi nga ana e Qeverisë. Sipas situatës së deri tanishme mund të them se këtu ka dështuar politika kadrovike, për arsye se në krye të bordeve të ndërmarrjeve publike janë caktuar njerëzit jo profesionalist dhe normalisht ka ardhur edhe deri te mos efikasiteti i këtyre ndërmarrjeve”.
Ai përmend Telekomin që i ofronte Qeverisë 200 mijë euro në vit, përderisa nga keqmenaxhimi gati sa nuk falimentoi.
Sipas tij, Qeveria duhet që në pozitat udhëheqëse të caktoj profesionistë e jo militantë të partisë në mënyrë që ndërmarrjet të jetë profitabile.
“Përshembull e kemi rastin e Telekomit të Kosovës, ajo ishte një ndër ndërmarrjet publike më profitabile cila në vit i ofronte Qeverisë diku 200 mijë euro. Kurse tani para disa viteve që ishte para falimentimit për arsye se keqmenaxhohej edhe keqpërdorej nga Qeveria duke punësuar njerëzit e tyre vend e pa vend dhe ishte e mbi ngarkuar me personelin administrativ. Kështu ka ndodhur edhe me ndërmarrjet tjera publike”.
“Ato janë profitabile dhe duhet normalisht që jo të marrin subvencione nga Qeveria, por duhet që ato ta mbushin edhe arkën e Qeverisë. Një përparësi e tyre është se ato kanë monopol për nga vetë pozita e tyre sepse janë ndërmarrje publike dhe e dyta në qoftë se vijnë deri te një krizë materiale atëherë e mbështet financiarisht Qeveria për arsye se ato kryejnë shërbime publike dhe normalisht që Qeveria nuk lejon që ato shërbime të mos të kryen për arsye se do të ishin në dëmin e qytetarëve”.
“Prandaj, për me ardhur deri te afarizmi pozitiv i këtyre ndërmarrjeve Qeveria duhet që ta caktoj personelin menaxhues profesional e jo me petkun partiak ose militant të partisë”.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Safet Gërxhaliu, në një intervistë për Ekonomia Online tha asnjëherë plan nacional zhvillimor nga ana e Qeverisë për ndërmarrjet publike.
Gërxhaliu konsideron se deri sa të ketë ndërmarrje të politizuara ato të jenë edhe më tutje barrë e shtetit.
Ai thotë se ndërmarrjet publike kanë nevojë për borde profesionale dhe jo gjithmonë të jenë të deleguar nga politika, raporton EO.
“Duhet të kuptohet që në Qeverinë aktuale po edhe në të kaluarën nuk e kemi pasur një plan nacional zhvillimor të mirëfilltë. Në këtë drejtim ndërmarrjet publike kanë qenë shumë më tepër barrë e shtetit se sa që kanë pasur një performancë në interes të shtetit dhe një kontribut në shtet qoftë në aspektin ekonomik qoftë social. Prandaj, në këtë drejtim duhet të kuptohet që problemet janë të grumbulluara nga e kaluara dhe duhet të jetë shumë e vështirë ato të zgjidhen”.
“Kemi dhënë mendime të ndryshme që duhet një qasje më ndryshe sa i përket procesit të privatizimit, për fat të keq privatizimi në Kosovë e ka përjetuar një devalvim dhe një degradim që nuk beson askush më në procesin e privatizimit. Por, besoj që këto ndërmarrje nuk mund të qëndrojnë në një afat kohor, afat mesëm dhe afatgjatë barrë e shtetit. Duhet të analizohen përvojat të ndryshme, duhet një reformim dhe duhet depolitizim i tyre. Këto ndërmarrje kanë nevojë për borde profesionale dhe jo gjithmonë të priten anëtarë të bordeve vetëm sa i përket lojalitetit politik. Deri sa do të përcillet ky avaz me politizim të ndërmarrjeve publike ato do të jenë edhe më tutje barrë e shtetit. Po besoj që është koha kur duhet një prerje, një fizibilitet i mirëfilltë dhe nga këto ndërmarrje të kemi probabilitet”.