Ndonjëherë është e vështirë të përcaktohet nëse dikush ka një atak në zemër ose atak paniku, pasi shumë simptoma të dy gjendjeve mbivendosen me njëra-tjetrën. Kardiologët shpjegojnë ndryshimin midis të dyjave.
Sulmet e panikut ndodhin kur hormonet e stresit nxisin përgjigjen e trupit “lufto ose ik”, shpesh duke rezultuar në rrahje të shpejta zemre, shtrëngim në gjoks, dhimbje gjoksi dhe gulçim. Në rastin e një sulmi në zemër, një bllokim në një arterie koronare mund të tregojë të njëjtën gjë. Dhimbja e gjoksit, rrahjet e shpejta të zemrës dhe gulçimi mund të jenë rezultat i sasisë së pamjaftueshme të gjakut që arrin në muskulin e zemrës, thotë Dr. Dhaval Naik, kirurg i transplantimit të zemrës.
“Një pacient me sulm paniku mund të ketë disa faktorë si ankthi ose stresi që lidhen me familjen/punën, ku pacientët me atak në zemër zakonisht nuk priren të kenë këtë lloj stresi, ata më shpesh shihen në sulme paniku”, thotë Dr. Sunil Kumar Wadhwa. konsulenti kryesor i kardiologjisë.
Dr. Atul Mathur thotë se sulmet në zemër mund të jenë të papritura dhe intensive, por kryesisht fillojnë ngadalë, me dhimbje të lehta gjoksi ose siklet që përkeqësohet gradualisht brenda pak minutash.
Dr. Mathur thotë se nëse ekzaminimi mjekësor tregon se keni një zemër të shëndetshme, atëherë mund të jeni duke përjetuar një sulm paniku – kjo është veçanërisht nëse personi ka frikë të fortë, që është simptoma kryesore.
“Simptomat e panikut mund të jenë frika e fortë dhe mendimet e nxituara, ndjenja e humbjes së kontrollit, frika nga vdekja, ndjenja e shkëputjes nga mjedisi, rrahja e zemrës, siklet në gjoks, ndjesi mbytjeje, gulçim ose frymëmarrje e shpejtë, mpirje ose ndjesi shpimi gjilpërash, Ndjenja e nxehtësisë apo e ftohtit e marrje mendsh”, shton kardiologu.
Në sulmin në zemër, dhimbja ndihet klasikisht nën kockën e gjoksit si një presion i shurdhër. Mund të rrezatojë deri në qafë dhe nofull ose poshtë krahut të majtë.
Sulmet e panikut, nga ana tjetër, mund të shkaktojnë dhimbje gjoksi me një ndjesi të mprehtë ose therëse, ose një ndjesi mbytjeje në fyt.
Sulmet në zemër mund të shoqërohen gjithashtu me lodhje, të fikët ose humbje të vetëdijes. Sulmet e panikut, nga ana tjetër, karakterizohen nga rrahje në zemër, mendime të forta, dridhje, ndjesi shpimi gjilpërash ose mpirje dhe një ndjesi mbytjeje.
Dhimbja e zemrës zgjat më shumë se disa minuta dhe mund të vijë e të shkojë. Mund të përkeqësohet nga sforcimi fizik. Gjatë një ataku paniku, nga ana tjetër, simptomat zakonisht arrijnë kulmin në intensitet pas rreth 10 minutash dhe zhduken pas gjysmë ore.