Kosova është udhëhequr e vëzhguar nga misione të huaja qysh nga pas lufta. Misioni i UNMIK-ut në Kosovë erdhi menjëherë pas luftës, krejt kjo në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, raporton Ekonomia Online.
Përderisa Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka filluar në vitin 2008 si misioni civil më i madh në kuadër të Politikës së Përbashkët të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Mbrojtje.
Por se sa do të zgjas misioni i tyre, njohësit e çështjeve juridike kanë thënë se puna e tyre në Kosovë do të vazhdojë deri në një afat të pacaktuar, ndonëse i vlerësojnë si “inekzistent”.
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se EULEX-i do të jetë prezentë sa të funksionojë Gjykata Speciale.
Sipas tij, me misionin që ka aktualisht EULEX, policët e e këtij misioni janë reagues të dytë, kryesisht në çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë në Kosovë.
“Po flasim për dy misione ndërkombëtare në Kosovë, misione me mandat tërësisht ndryshe nga njëri-tjetri. Përderisa nëse flasim për misionin e EULEX-it nëse marrim për bazë edhe ligjin mbi Dhomat e Specializuara në popull që thuhet Gjykata Speciale, atëherë mund të themi që misioni i EULEX-it sa të ekzistojë Gjykata Speciale do ta ketë një komponentë të policisë e cila do të jetë kryesisht përgjegjëse për t’i ofruar logjistikë ndihmë Gjykatës Speciale sipas nevojës dhe kërkesës së tyre”.
“Në anën tjetër me misionin që ka aktualisht EULEX po ashtu policët e EULEX janë si reagues të dytë, kryesisht në çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë në Kosovë. Në bazë të Kosovës dhe Bashkimit Evropian sigurisht që reaguesit e parë janë Policia e Kosovës, reagues të dytë janë policët e EULEX të cilët janë në numër shumë të vogël, i cili është përafërsisht 100 policë dhe pastaj e kemi edhe reaguesin e tretë që është KFOR. Kështu që në bazë të kornizës ligjore aktualisht që e ka Kosova dhe obligimeve ndërkombëtare në raport me Gjykatën Speciale sigurisht që misioni i EULEX-it do të qëndroj edhe për një kohë të caktuar në Kosovë”.
Ndërsa për funksionin e UNMIK-ut ai tha se do të vazhdojë të jetë prezent deri sa të jetë Rezoluta 1244, i cili përgatit raporte tre mujore për Këshillin e Sigurimit. Prandaj sipas tij, roli i UNMIK-ut në Kosovës është pothuajse “inekzistent”.
“Sa i përket misionit të UNMIK-ut, po flasim për një mision, i cili bazën e ka në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e cila rezolutë mund të ndryshohet apo ta ndërpres mandatin e këtij misioni vetëm nëse pesë shtete anëtare të Këshillit të Sigurimit do ta marrin një vendim të përbashkët. Se sa është roli i UNMIK-ut në Kosovës mund të themi që i njëjti rol pothuajse është inekzistent, i njëjti nuk ka asnjë kompetencë qoftë ekzekutive apo diçka tjetër po më shumë mund ta shohim si një zyrë ndërlidhëse të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, i cili njëfarë mënyre përgatit raporte tre mujore për Këshillin e Sigurimit të ashtu që të përcakton Rezoluta 1244”.
Edhe profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi, thotë se UNMIK-u do të ekzistojë derisa të jetë në fuqi Rezoluta 1244.
Kurse për EULEX-in ai tha se nuk ka kompetenca ekzekutive vetëm se përbëhet nga një trup policore këshilluese, raporton EO.
“Sa i përket UNMIK-ut tash është pozicion politik nga aspekti jonë ne shtiremi qe nuk ekziston, por për fat të keq në Këshillin e Sigurimit në OKB ende ekziston një Rezolutë 1244 dhe derisa nuk e gjejmë një zgjidhje se si dihet. Për ne nuk është mirë të marrim në këtë krizë në këtë rast veprime unilaterale, është mirë me partnerët tanë të gjejmë mijë zgjidhje se a mund ta largojmë së pari Rezolutën 1244. Dhe nën dy si mund ta zbehim funksionin e UNMIK edhe në Kosovë edhe në Këshillin e Sigurimit. Kjo kishte me qenë ndoshta rruga më e mirë që ngadalë ngadalë me mujt me largu në tersi”.
“EULEX-i ende ekziston, por tash nuk është ai që i ka pas ato kompetencat që i ka pas. Sot është një trup policore e vogël më këshilluese. Nuk e shoh problem shumë EULEX-in sa ka qenë. Nuk mund t’i pengojë politikat zhvillimore te Kosovës apo reformat që ne po i synojmë në drejtësi. Ata veç mund të jenë suportues, ndihmues por në këtë aspekt e shoh si pozitive në kuptimin e asaj që ta kemi një bashkëpunim edhe me këtë forcë në aspektin e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian”.